Fjalët mes Astrit Ademajt dhe Blerand Kadriajt para se të vriteshin, zbardhet deklarata e Avni Ademajt

  • E.K /
  • 04 October 2021 - 13:56
 Fjalët mes Astrit Ademajt dhe Blerand Kadriajt para se të vriteshin, zbardhet deklarata e Avni Ademajt

Familja e Astrit Ademaj, ish-kandidatit për kryetar të Pejës nga PDK, i cili u vra më 8 shtator të këtij viti, deklaron se vrasja e tij ndodhi për motive politike. Në natën kritike pranë shtëpisë së Astrit Ademajt, u vra edhe zyrtari tjetër i PDK-së, Blerand Kadrijaj, ndërsa personi që e pa ngjarjen me sy, vëllai i Astritit, Avni Ademaj, po ashtu i plagosur, ka rrëfyer te mbrojtja e tij momentin e acarimit mes dy ish-bashkëpartiakëve para se të shkrepeshin plumbat. Sipas familjes, Astrit Ademaj ishte shantazhuar edhe më parë nga Blerand Kadrijaj.

Sipas familjarëve të Astrit Ademajt, vëllai i tij Avniu, që ndodhet në paraburgim, i ka thënë mbrojtjes së tij se “Blerand Kadrijaj e ka shantazhuar Astritin dhe më parë dhe në natën kritike, iu ka drejtu Astritit: Ose ki me hjek dorë nga kandidatura për kryetar të Pejës ose fëmijet që i ke në Prishtinë s’ke mi pa më. Pas këtij momenti ka nisur shkëmbimi i zjarrit në mes tyre”, është kjo deklarata e Avni Ademajt dhënë mbrojtjes së tij.

“Avniu e ka deklaru këtë në deklaratën e dhënë avokatit dhe këtë do ta deklarojë në çdo fazë të shqyrtimit gjyqesor”, tha për Express një familjar i Astrit Ademajt.

Tri javë pas vrasjes së kandidatit për kryetar të Pejës nga radhët e PDK-së, Astrit Ademaj, për herë të parë ka folur vëllai i tij, Armend Ademaj. Me anë të një postimi në profilin e tij në Facebook, Armend Ademaj ka shkruar se vrasja e vëllait të tij u krye nga dora e një atentatori të mafisë politike dhe shumë tradhtarëve. Vrasjen e tij e quan krim politik.

Armend Ademaj thotë se Astrit Ademaj nuk u dorëzua para shantazheve dhe kërcënimeve të vazhdueshme në betejën e tij elektorale.

Dy ish-bashkëpartiakët, Astrit Ademaj dhe Blerand Kadriaj, dyshohet se u gjuajtën me armë zjarri mes vete, duke pësuar lëndime vdekjeprurëse kryesisht në pjesën e gjoksit dhe barkut. I plagosur ka mbetur edhe vëllai i Astrit Ademajt, Avniu, i cili pas trajtimit mjekësor është prangosur dhe tani ndodhet në paraburgim.

Hetimet e para nxorën përfundimin së në vendin e ngjarjes u gjetën 18 gëzhoja plumbash.

Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, i ka caktuar masën e paraburgimit të pandehurit Avni Ademaj për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

“Më datë 08.09.2020, rreth orës 20:15 në Pejë, i pandehuri A.A me dashje e privon nga jeta tashmë të ndjerin B.K, në atë mënyrë që pasi viktima B.K së bashku me dëshmitarin L.L kishin shkuar tek një lokal për tu takuar me viktimën A.A ku aty prezentë kanë qenë edhe i pandehuri A, gjatë bisedës në mes të dy viktimave fillon të acarohet situata dhe që të dy viktimat përnjëherë i nxjerrin armët dhe për një moment gjersa viktimat po fjaloseshin i pandehuri A ia merr armën viktimës A dhe me të njëjtën fillon të gjuaj në drejtim të ndjerit B, e i cili poashtu në të njëjtën kohë shtënë edhe ky në drejtim të viktimës A dhe të pandehurit A, ku si pasojë e goditjeve të marra nga arma e zjarrit të të pandehurit A është privuar nga jeta viktima B, kurse viktima A ka mbetur i vdekur nga plagët e marra nga arma e zjarrit të viktimës B, e po ashtu edhe i pandehuri A ka marr lëndime ne shuplakën e dorës së majtë”, ka njoftuar gjykata.

Për pretendimet e familjes Ademaj se Astriti u vra për motive politike dhe nëse është intervistuar edhe personi me inicialet L.L., për të cilin gjykata ka pohuar se ka qenë bashkë me Blerand Kadrijaj kur ka ndodhur krimi. Media dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore të Pejës, por deri në publikimin e këtij teksti nuk ka pranuar përgjigje.

Zyrtarisht motivet e vrasjes së dyfishtë në Pejë mbeten akoma të panjohura për publikun.

(Kosova Sot Online)