Pandora Papers: Mbreti Abdullah i Jordanisë fshehu prona me vlerë mbi 100 milionë dollarë

  • E.K /
  • 05 October 2021 - 10:57
 Pandora Papers: Mbreti Abdullah i Jordanisë fshehu prona me vlerë mbi 100 milionë dollarë

Gazeta britanike, “The Guardian”, ka vazhduar që të publikojë pjesë të hulumtimit “Pandora papers”, duke zbuluar pasuri të fshehura të udhëheqësve botërorë. Kësaj radhe raportohet për pasurinë e fshehur të Mbretit Abdullah të Jordanisë.

Dosjet tregojnë se udhëheqësi me pushtetin më të gjatë në botën arabe ka grumbulluar prona luksoze me vlerë të më shumë se 100 milionë dollarëve, shkruan The Guardian.

Raportohet se Mbreti Abdullah e fshehu pronësinë e pronave përmes një vargu të kompanive “offshore” të inkorporuara në Ishujt e Virgjër Britanikë, sipas të dhënave të Konsorciumit Ndërkombëtar të Gazetarëve Hulumtues, i cili informatat i ndau me BBC-në e medie tjera përreth botës.

Pronat multimilionëshe u fshehën në kohën kur ndihmat ekonomike e ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Jordanin ishin katërfishuar dhe kur qytetarët jordanezë ishin subjekt i kufizimeve ekonomike si pjesë e ndihmës së Fondit Monetar Ndërkombëtar për shtetin e varfër me burime.

Të dhënat tregojnë se Mbreti Abdullah më 2014 kishte blerë një shtëpi në vlerën e 33.5 milionë dollarëve. Mbreti më parë kishte siguruar edhe tri objekte në bashkëpronësi në Uashington me vlerë të përgjithshme prej 13.8 milionë dollarësh.

Dokumentet gjithashtu tregojnë se si udhëheqësi jordanez në mënyrë sekrete kishte siguruar shtatë prona luksoze në Britaninë e Madhe, përfshirë tri në Belgravia të Londrës. Të blera mes viteve 2003 dhe 2011, vlera e përgjithshme e pronave vlerësohet të jetë rreth 28 milionë funte.

Mbreti Abdullah është në pushtet në Jordani që nga viti 1999, kur i kishte vdekur babai, Hussein-i, i cili e kishte vendosur Jordaninë si aleate kyçe e Perëndimit dhe ishte i njohur për shfaqjen e pasurisë së vet në publik.

(Kosova Sot Online)