Tre nga tetë personat që u arrestuan dje lirohen në procedurë të rregullt

  • G.G /
  • 14 October 2021 - 10:50
Tre nga tetë personat që u arrestuan dje lirohen në procedurë të rregullt

Policia e Kosovës të mërkurën ka zhvilluar një aksion kundër kontrabandës në katër rajone të vendit. Derisa në rajonet tjera aksioni përfundoi i qetë, në Mitrovicën e Veriut situata u tensionua. Aty pati protesta e sulme me granata dore nga banorët serbë, të cilët kundërshtuan aksionin e policisë.

Gjatë aksionit të djeshëm, policia ka bërë të ditur se janë sekuestruar mallra të ndryshme në vlerë prej qindra-mijëra euro, ë cilat shërbejnë si prova materiale.

“Prishtinë, Pejë, Mitrovicë Jugu, Mitrovicë Veri, dhe Zveçan, 13.10.2021 – 07:00. Është raportuar se Drejtoria e Hetimit të Krimit  të Organizuar në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, të asistuar nga njësi të ndryshme relevante policore, me urdhëresë lëshuar nga gjykatat kanë kontrolluar-bastisur në lokacionet e cekura me qëllim luftimin e kontrabandës. Gjatë operacionit në disa lokacione të ndryshme , shtëpi banimi dhe lokale të ndryshme janë gjetur  dhe sekuestruar:  mallra të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale në vlerë prej qindra- mijëra €”, ka bërë të ditur policia.

Gjatë aksionit të djeshëm, janë lënduar dhjetë zyrtarë policorë, të cilët janë sulmuar nga një grup protestuesisht të cilët kanë përdorur armë zjarri, granata dore, bombola gazi e të tjera.

“Gjatë realizimit të operacionit në Mitrovicën veriore dhe Zveçan nga një grup protestuesish duke i  sulmuar dhe penguar në kryerje të detyrës kanë  bllokuar  rrugët me mjete transportuese, përdorë armë zjarri,  granata dore, bombola gazi, bomba shokuese e tjera,  me ç’rast lëndime trupore kanë pësuar dhjetë zyrtar policorë, të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa janë shkaktuar dëme materiale në disa automjete zyrtare”, ka njoftuar policia.

Nga aksioni i djeshëm, janë shoqëruar në polici tetë persona, pesë nga të cilët janë dërguar në mbajtje, ndërkaq tre të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.

“Në lidhje me rastin janë shoqëruar në polici tetë të dyshuar meshkuj të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit pesë  meshkuj kosovarë  janë  dërguar në mbajtje, ndërsa tre të tjerët janë liruar në procedurë të rregullt. Dhjetë të  dyshuar të tjerë janë shpallur në kërkim. Rasti vazhdon të hetohet”, ka njoftuar policia

(Kosova Sot Online)