Izraeli i shpall terroriste grupet palestineze për të drejtat e njeriut – grupet izraelite kundër

  • G.G /
  • 23 October 2021 - 14:24
Izraeli i shpall terroriste grupet palestineze për të drejtat e njeriut – grupet izraelite kundër

Izraeli i ka shpallur organizata terroriste gjashtë grupe të njohura palestineze për të drejtat e njeriut. Vëzhguesit ndërkombëtarë e kanë cilësuar këtë veprim si totalitar dhe sulm të pashembullt ndaj lëvizjes globale për të drejtat e njeriut.

Vendimi i shpallur nga Ministria e Mbrojtjes e Izraelit të premten mund të sjellë mbyllje të zyrave të këtyre organizatave, konfiskim të aseteve dhe arrestim të stafit. Mund të kriminalizohet edhe përkrahja publike për këto grupe, shkruan Independent.

Ministria i akuzoi gjashtë grupet palestineze për lidhje me Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës, lëvizje majtiste sekulariste me grup të armatosur që ka kryer sulme vdekjeprurëse kundër Izraelit dhe që është shpallur grup terrorist nga ky shtet dhe nga disa vende perëndimore.

Sidoqoftë, grupet i mohojnë kategorikisht pretendimet e Izraelit dhe thonë se vendimi i ri është përpjekje për ta eliminuar shoqërinë civile palestineze.

Edhe grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut i mohuan akuzat duke thënë se vendimi është pjesë e përpjekjeve sistematike të Izraelit për t’i vënë frerët vëzhgimit të të drejtave të njeriut dhe për t’i ndëshkuar ata që e kritikojnë pushtetin shtypës ndaj palestinezëve.

Vendimin e kritikuan edhe disa organizata izraelite për të drejtat e njeriut, përfshirë grupin “B’Tselem”, që tha se shpallja e gjashtë grupeve palestineze si organizata terroriste është “akt karakteristik i regjimeve totalitare” dhe “vazhdim i regjimit të aparteidit të dhunshëm”.

(Kosova Sot Online)