Vodhën votat, paditen numëruesit

  • A.P /
  • 24 October 2021 - 18:10
Vodhën votat, paditen numëruesit

Rinumërimi i votave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, po konfirmon gjithnjë e më shumë, se kandidatët brenda partive kanë zhvilluar një garë të fortë brenda llojit në 25 prill, dhe nuk kanë ngurruar tu vjedhin votat njëri-tjetrit  gjatë numërimit.

Rivlerësimi i KQZ-së ka prekur qarkun e Elbasanit, ku në 52 kuti të hapura, është zbuluar një rast flagrant, se si kandidatit demokrat, Lefter Gështenja, i janë shtuar pa të drejtë 116 vota.

100 prej tyre i janë marrë kandidatit të 14-të, Ardian Zeneli, ndërkohë që Gazmend Bardhi, drejtuesi politik i PD-së në Elbasan, ka përvetësuar 10 vota.

Numërimi nuk është bërë i rregullt as mes socialistëve.

Taulant Balla dhe Saimir Hasalla kanë përvetësuar nga 25 vota secili, dhe vihet re që këto vota tu jenë marrë kandidatëve Evis Kushi, Klevis Xhoxhi, Desantila Tahiraj.

Mes socialistëve, padrejtësia më e madhe i është bërë Fatmri Xhafajt. Atij rezulton që t’i jenë hequr 60 vota në vetëm ato kuti që janë hapur, 45 prej të cilave vetëm një qendër votimi.

Pikërisht numëruesit e kësaj QV-je pritet të kallëzohen penalisht në prokurori dhe të përballen me drejtësinë, pasi KQZ ka krijuar bindjen se transferimi i votave është i qëllimtë dhe jo gabim njerëzor.

Një rast i ngjashëm, madje me shifra me të larta është zbuluar mes demokratëve në Shkodër.

Në gjithë sa është rinumëruar deri tani nga KQZ, deputeti që ka përfituar më shumë vota të padrejta, është Zef Hila. Në vetëm 40 kuti të hapura, atij i janë dhënë 104 vota më tepër, të cilat i hanë hequr kryesisht drejtuesit të listës, Helidon Bushati.

Për qarqet e tjera, Fier, Vlorë, Berat, Gjirokastër dhe Korcë, rinumërimi do të kryhet gjatë javës së ardhshme. 

(Kosova Sot Online)