Ministri Aliu jep informacione për rrugën që lidh Prizrenin dhe Tetovën

  • E.K /
  • 27 October 2021 - 11:50
Ministri Aliu jep informacione për rrugën që lidh Prizrenin dhe Tetovën

Ministri i Mjedisit Liburn Aliu, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka dhënë informacione për rrugën Prizren-Tetovë.

Me këtë rast, Aliu ka thënë se ky projekt është shumë i rëndësishëm për shkak se  lidh Prizrenin me Tetovën, e po ashtu lidhet me rrugë që qojnë në Shkup, Durrës, Prishtinë e Tiranë.

“Do të prezantoj vendimin e sotëm të qeverisë për krijimin e komisionit nga ana e qeverisë për studimin e fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë. Ky është hap konkret pas marrëveshjes e cila u nënshkrua në Shkup në mes të dy kryeministrave dhe e cila ka të bëjë me realizimin e një projekti të rëndësishëm që përpos që lidh dy qytetet, Prizrenin dhe Tetovën, lidh edhe dy korridore shumë të rëndësishme që është korridore 8 që nga Shkupi arrin në Durrës përmes Librazhdit dhe korridorit, rrugës së Kombit, nga Prishtina në Tiranë. Këto dy korridore do të mund të lidhen në mes veti përmes rrugës Prizren-Tetovë”, ka deklaruar ai.

Aliu ka thënë se studimet e parafizibilitetit janë kryer dhe me vendimin e sotëm të qeverisë do të filloj puna konkrete teknike.

“Studimet parafizibilitetit tashmë janë bërë nga ana e Drejtorisë së Rugëve në republikën e Maqedonisë dhe me nënshkrimin e marrëveshjes mes dy qeverive në Shkup dhe me vendimin e sotëm do të filloj puna konkrete teknike drejt përfundimit të këtij studimi dhe fillimit të projektit të menjëhershëm për realizimin e kësaj rruge”, ka deklaruar ai.

(Kosova Sot Online)