Policia e Kosovës në kërkim të dy vëllezërve të dyshuar për vrasje në Norvegji

  • E.K /
  • 28 October 2021 - 14:55
Policia e Kosovës në kërkim të dy vëllezërve të dyshuar për vrasje në Norvegji

Policia e Norvegjisë është vënë në kërkim të dy vëllezërve nga Kosova, të cilët janë të dyshuar për vrasjen që ndodhi më 7 tetor në qytetin Mortensrud. Valon dhe Visar Avdyli, sipas policisë norvegjeze dyshohet se që nga 9 tetori janë strehuar në Kosovë.

Valon dhe Visar Avdyli po kërkohen edhe nga Policia e Kosovës, pasi autoritetet kosovare janë në bashkëpunim me ato norvegjeze për kapjen e dy vëllezërve.

Kështu ka konfirmuar Policia e Kosovës, duke theksuar se në lidhje me urdhërarrestet ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet norvegjeze, janë njoftuar autoritetet kompetente.

“Me datë 15.10.2021, Policia e Kosovës lidhur me çështjen në fjale ka pranuar informacionin nga autoritetet Norvegjeze dhe nga ajo kohe është në komunikim dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Policinë Norvegjeze. Po ashtu lidhje me urdhër arrestet ndërkombëtare të lëshuara nga autoritetet norvegjeze, janë njoftuar autoritetet kompetente”, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

Vrasja në fjalë ka ndodhur gjatë javës së parë të këtij muaji para një shkolle në qytetin Mortensrud, ku viktimë ishte 20-vjeçari Hamse Hashi Adan. Një burrë tjetër 40-vjeçar gjendet aktualisht në paraburgim si i dyshuar për bashkëpunim në vrasje.

(Kosova Sot Online)