Thellohet skandali: Gjykatësja e Pejës ka fshehur rastin e dhunimit të 15 vjeçares?

  • 28 October 2021 - 15:12
Thellohet skandali: Gjykatësja e Pejës ka fshehur rastin e dhunimit të 15 vjeçares?

Një detaj i ri e thellon skandalin e rastit të dhunimit të 15 vjeçares nga Peja. Përveç vonimit të rastit i cili ka ndodhur në vitin 2012, gjyqtarja që ka pasur në dorë këtë lëndë dyshohet se ka fshehur diçka.

Në dosjen e Gjyqtares Florije Zatriqi, figurojnë me qindra raste të tjera të cilat ajo i ka shtjelluar.

Por ky, i 15 vjeçares nuk figuron askund në faqen zyrtare të Gjykatës Themelore në Pejë.

Syri.net Kosova ka hulumtuar në këtë faqe për rastin në fjalë, por nuk ka gjetur asgjë. Asnjë shkronjë e vetme nuk është hasur në asnjë rast për këtë vepër të cilën thuhet se e ka trajtuar gjykatësja në fjalë.

Pra, vendimi i fundit që gjykatësja Florije Zatriqi ka publikuar është i datës 14 Maj 2021.

Syri.net Kosova ka kontaktuar me avokaten Rovena Tujani Klinaku e cila ka treguar se është munduar që në forma zyrtare të gjejë vendimin por që ka qenë e kot. Përkundër faktit që, Tujani-Klinaku ju ka nisur një email zyrtare si avokate për të marrë këtë vendim por që prapë nuk ka arritur të marrë të paktën asnjë përgjigje pse ky vendim nuk figuron askund.

“Që të jem më korrekte në opinion tim në lidhje me këtë rast më është dashur të shoh vendimin e Gjykatës Themelore në Pejë, specifikisht të gjyqtares Florije Zatriqi, por që nuk kam hasur në vendim. U kam dërguar edhe email zyrtare si avokate, por nuk kam arritur të marrë asnjë përgjigje. Kam edhe emailat si dëshmi”, ka thënë Tujani Klinaku për Syri.net Kosova.

Kujtojmë që, dënimi me 8 muaj e 8 ditë burgim për personin që dhunoi 15 vjeçaren në Gjakovë nga Gjykata Themelore e Pejës, ka nxitur reagime të shumta në vend.

Lidhur me këtë rast, ditë ditë më parë pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial, u zhvillua një aksion simbolik nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Në këtë aksion simbolik u kërkua të hetohet përgjegjësia disiplinore e gjyqtares së rastit, të shkarkohet gjyqtarja e rastit dhe të ofrohet transparencë e plotë për rastin. 

E që pas kësaj nuk munguan reagimet edhe nga shumë figura publike.

(Kosova Sot Online)