Serbia po armatoset

  • E.K /
  • 29 October 2021 - 12:51
Serbia po armatoset

“Ejani me mua”, thotë Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë. “Tani do ta shihni një buzëqeshje në fytyrën time!”

Nga terrasa e ndërtesës presidenciale në Beograd ai e drejton gishtin tek aeroplanët që ngjiten lart dhe në mënyrë triumfaliste deklaron: ‘Sikurse feniksi që ngrihet nga hiri!”

Shtetet e tjera ish-jugosllave shqetësohen se ushtria e Serbisë po ngrihet gjithashtu nga hiri. Gjatë një mosmarrëveshjeje të vogël me Kosovën rreth targave të makinave në muajin shtator, Serbia i fluturoi avionët luftarakë afër kufirit dhe vendosi automjete të blinduara për të frikësuar fqinjin e saj më të vogël.

Ndërmjet viteve 2015 dhe 2021, shpenzimet e mbrojtjes të Serbisë u rritën me rreth 70% në 1.4 miliardë dollarë në vit. Rusia dhe Bjellorusia i kanë dhënë asaj dhjetë avionë MIG-29. Rusia i ka dhënë asaj 30 tanke dhe transportues të blinduar si dhe i ka shitur një sistem të mbrojtjes ajrore. Serbia ka blerë dronë të blinduar kinezë, helikopterë rusë dhe një sistem raketor francez tokë-ajër.

Këtë muaj ministri i mbrojtjes njoftoi se Serbia po zhvillon negociata për të blerë aeroplanë transporti dhe helikopterë nga Airbus. Muajin e kaluar u bë e ditur se Serbia ishte duke biseduar me Izraelin për raketat antitank. Dronët turq, të cilët u përdorën me efekt shkatërrues në humbjen e vitit të kaluar të forcave armene në Nagorno-Karabakh nga Azerbajxhani, mund të jenë në listën e blerjeve. Industria e mbrojtjes e Serbisë po prodhon gjithashtu pajisje të reja, në krahasim me prodhimin e më shumë gjërave të epokës jugosllave.

Pas luftërave jugosllave të viteve 1990 kapaciteti ushtarak i Serbisë u dekompozua. Mirëpo, në vitin 2014 qeveria vendosi të riarmatosej. Ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë tregoi se epoka e luftës konvencionale në Evropë nuk kishte mbaruar dhe përmbytjet në Serbi atë vit ishin një “alarm”, thotë Daniel Sunter nga instituti Rrjeti i Sigurisë Ballkanike. Ata zbuluan se vendi nuk kishte pothuajse asnjë helikopter për misionet e kërkim-shpëtimit. Në vitin 2015, Kroacia, gjithashtu duke restauruar forcat e saj të armatosura, i kërkoi Amerikës që ta furnizonte me raketa të cilat, nëse hidheshin në Serbi, mund të arrinin thellë brenda saj.

Një shtet modern ka nevojë për një ushtri moderne, thotë presidenti serb, Vuçiq. Në terma absolutë, Serbia shpenzon më shumë se më parë, por shpenzimet e saj për mbrojtjen si pjesë e PBB-së kanë lëvizur rreth 2% që nga viti 2005. Krahasuar me Bullgarinë, Hungarinë ose Rumaninë, kjo është një “shpenzim tepër i vogël”, thotë Vuçiq. Por serbët nuk ishin në luftë me Bullgarinë, Hungarinë apo Rumaninë në vitet 1990. Ata ishin në luftë me fqinjët që tani kanë buxhete më të vogla ushtarake. Sa i përket shpenzimeve ushtarake, Serbia e tejkalon Shqipërinë, Bosnjën, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut së bashku. Ajo gjithashtu e tejkalon Kroacinë, e cila po blen avionë francezë për të restauruar kapacitetin e saj ajror pothuajse inekzistent.

Nëse Serbia thjesht do t’i modernizonte forcat e saj të armatosura, askush nuk do ta kishte problem. Është konteksti që i aktivizon alarmet. Bosnja është përsëri në trazira politike dhe Milorad Dodik, udhëheqësi serb i Bosnjës, sugjeroi më 14 tetor se nëse pjesa e tij e Bosnjës ndahet dhe do të pasonte me ndonjë dhunë, atëherë Rusia do të ndërhynte për ta mbrojtur atë. Mediat e kontrolluara nga qeveria e Serbisë vazhdimisht thonë se lufta me shqiptarët e Kosovës apo kroatët është e afërt. Në tetor, pas një përleshjeje mes serbëve të Kosovës dhe policisë së Kosovës, mediat  imagjinare të Serbisë e lidhën praninë e trupave britanike Gurkha me dhunën.

Në të njëjtën kohë nacionalistët, përfshirë ministrin e Brendshëm të Serbisë, flasin për krijimin e një “bote serbe”, për të cilën shumë në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje kanë frikë se është një kod për një Serbi të Madhe që mund t’i gëlltisë ata. Vuçiq e quan këtë si “propagandë”. Ai thotë se të gjithë fqinjët e dinë se riarmatimi “nuk bëhet kundër tyre”.

Vuk Vuksanoviq, studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, thotë se rëndësia e vërtetë e riarmatosjes së vendit është politike dhe jo ushtarake. Marrëveshjet evidente të armëve u bëjnë përshtypje mbështetësve të presidentit Vuçiq, të cilët priren t’i mbajnë forcat e armatosura me një respekt të lartë.

Megjithatë, Serbia është efektivisht e rrethuar nga NATO. Me një aleancë të madhe që mbron fqinjët e saj të vegjël, Serbia ka shumë pak gjasa t’i dërgojë ushtarët e saj në ndonjë aksion në të ardhmen e parashikueshme. Në të vërtetë, Serbia ka marrëdhënie të shkëlqyera (ndonëse diskrete) me NATO-n dhe Amerika i trajnon trupat serbe. Të kesh një ushtri të fortë nënkupton që fuqitë e mëdha të të trajtojnë me respekt, thotë Vuksanoviq. Dhe nëse, “Zoti na ruajt”, status quo-ja rajonale do të prishej një ditë, atëherë “nëse ne mund t’i shkaktojmë dëm kundërshtarëve tanë hipotetikë, ata ndoshta do të jenë më të përshtatshëm me ne në tavolinën e bisedimeve”.

(Kosova Sot Online)