“Trutë n’tokë t’i kisha qit”, “Me ta shti flakën”, si u kërcënuan me jetë krerët e shtetit ndër vite

  • 29 October 2021 - 12:55
“Trutë n’tokë t’i kisha qit”, “Me ta shti flakën”, si u kërcënuan me jetë krerët e shtetit ndër vite

Dje, forca të shumta të Policisë së Kosovës u vendosën tek shtëpia e kryeministrit, Albin Kurti. Kjo pasi i pari i qeverisë kishte marr një kërcënim me vdekje.

Ende nuk dihet se për çfarë kërcënimi bëhet fjalë.

Por, kjo nuk është hera e parë që liderët e shtetit marrin kërcënime me vdekje.

Kryeministri Kurti në mandatin e tij të parë ishte kërcënuar me vdekje nga “Garda Vullnetare Shqiptare”.

Lideri i qeverisë kishte publikuar një komunikatë të këtij grupi ku thuhej që Kurti dhe udhëheqësit tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje të shqetësohen për sigurinë e tyre dhe të familjarëve.

Në vitin 2019, Anëtari i Nisma Socialdemokrate, Haxhi Hoti, i cili ishte edhe kandidati për deputet nga kjo parti, kishte lëshuar një deklaratë të pa matur kundrejt kreut të LVV-së, Albin Kurti.

“John F. Kennedy ishte interes i popullit amerikan që të jetë President, por nuk ishte interes i shtetit amerikan që të jetë President. Albin Kurti është interes i popullit të Kosovës ndoshta, po nuk është interes i shtetit të Kosovës të jetë kryeministër. Albin Kurti ika dy rrugë: Ose ta lëshojë Kosovën ose të vritet”, kishte shkruar Hoti në postimin e tij.

Hoti për këtë postim është dënuar me 6 muaj burgim me kusht. Gjykatësja Alltëne Murseli ka bërë të ditur se dënimi ndaj Hotit nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.

Paraardhësi i Kurtit, Avdullah Hoti njëherë ishte kërcënuar në rrjetet sociale nga një qytetar i revoltuar që i kishte komentuar në Facebook.

Hoti përmes një postimi kishte thënë se institucionet tona po bëjnë të gjitha veprimet e nevojshme, por duhet kujdes maksimal dhe solidaritet i plotë për të evituar mbylljen totale, e kjo deklaratë e ka irrituar një qytetar.

R.H në një medium që e ka shpërndarë lajmin e kryeministrit Hotit, ka thënë: “Un jam qaj i Pari që ka me ardh midis qeveris me ta shti flaken me ta q… at gjak Mutit qe ki maje men ko mu ba Kurban i shqiptarve provo mbylle venin“.

Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani kur ishte vetëm ushtruese e detyrës së presidentit kishte marrë një kërcënim me jetë me anë të një komenti.

Këshilltari i saj, atë kohë, tash ministri i Bujqësisë, Faton Peci e kishte publikuar në Facebook.

Një komentues kishte komentuar “Trut n’tok t’i kisha qit” ndërsa këtij komenti ia kishte bashkangjitur një fotografi të një arme.

Një qytetar nga pjesa Veriore e Kosovës, në vitin 2020 kishte kërcënuar ish- Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi gjatë ditës së djeshme. Ai ishte arrestuar nga Krimet e Rënda të Policisë së Kosovës.

Kujtim Boletini përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, kishte postuar një fotografi ku shihen dy armë dhe kishte shkruar për presidentin Thaçi se “gjumin gjumë s’do ta lë ta bëjë”.

“Sot i zhdrypa prej tavani se në kuvend po flitet për ndarjen e Kosovës nga Hashim Broja le te dinë Hashim Broja a kushdo qoft ai se ende jemi gjallë pjesa e Veriut. Nuk e lejojmë ndarjen o Hashim Broja, dije se gjumin, gjumë stala me bo”, kishte shkruar Boletini.

Në vitin 2018-të, ish-kryeministri, Ramush Haradinaj kishte marr një kërcënim nga persona të panjohur. Kërcënimi në adresë të kryeministrit, kishte bërë që autoritetet të shtojnë masat e sigurisë ndaj Haradinajt.

Më vonë ishte kuptuar që personi që e kërcënoi Haradinajn ishte, Bledart Elshani, 23 vjeç. Ai para gjykatës kishte pranuar fajin dhe akuzën. Ai ishte dënuar me 20 muaj burgim.

Në vitin 2016-të, shtëpia e ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa ishte sulmuar me bomba molotovi nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, por fatmirësisht askush s’i ishte lënduar.

Deri më tani nuk ka ndodhur asnjëherë që ndonjë lider i Republikës së Kosovës që nga shpallja e Pavarësisë, të ketë ndonjë atentat.

(Kosova Sot Online)