Mehaj flet me gjeneralin Clark për zhvillimet e fundit gjeopolitike në rajon

  • E.K /
  • 30 October 2021 - 13:56
Mehaj flet me gjeneralin Clark për zhvillimet e fundit gjeopolitike në rajon

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka zhvilluar një takim virtual me gjeneralin Wesley Clark.

Mehaj bën të ditur se përgëzimet e Clark për sukseset e Kosovës janë inkurajim dhe motivim për të vazhduar më fuqishëm drejt synimeve tona.

“Përgëzimet e Gjeneral Wesley Clark për sukseset tona janë inkurajim i madh dhe motivim i veçantë për të vazhduar edhe më fuqishëm drejtë synimeve tona. Krahas takimeve, prezantimeve e diskutimeve gjatë vizitës në SHBA, konsultimet me Gjeneral Clark janë shumë të rëndësishme në secilin angazhim. Në bashkëbisedimin e sotëm me të, diskutuam për zhvillimet e fundit gjeopolitike në rajon, me fokus në rolin e Kosovës në këto rrethana sfiduese për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë”, ka shkruar Mehaj.

Tutje Mehaj bëri të ditur se me Clark janë dakorduar për vazhdimin e konsultimeve të rregullta.

“Gjeneral Clark më përgëzoi për spektrin e gjerë dhe të suksesshëm të angazhimeve tona, me theks në pjesëmarrjen tonë efektive në operacionin humanitar mbështetës të NATO-s për akomodimin e refugjatëve afganë të udhëhequr nga ushtria amerikane, si dhe përmbylljes me sukses të misionit të parë të FSK-së jashtë vendit”.

“Me gjeneral Clark u dakorduam për vazhdimin e konsultimeve të rregullta, në funksion të realizimit të qëllimeve dhe objektivave të mi strategjik. Gjeneral Clark edhe këtë herë shprehu përkrahjen e plotë dhe të pakursyer për mbështetje nga eksperienca profesionale dhe autoriteti i tij shumë i lartë, për Ministrinë e Mbrojtjes”.

(Kosova Sot Online)