Ngjashmëri e madhe në simptoma, sugjerohet testimi për të hequr dilemat nëse është grip apo COVID

  • A.P /
  • 03 November 2021 - 17:57
Ngjashmëri e madhe në simptoma, sugjerohet testimi për të hequr dilemat nëse është grip apo COVID

Derisa numri i pacientëve të infektuar me COVID-19 ka rënë së fundmi në vend, me uljen e temperaturave, po rritet numri i atyre që po preken me grip sezonal. Nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në vend tregojnë se disa pacientë së fundmi u janë drejtuar për shkak të simptomave që lidhen me gripin sezonal. Derisa, kërkojnë nga qytetarët që të vaksinohen në mënyrë që të mbrohen nga ky virus.

Me temperaturë të lartë, ethe, shkuarje të hundëve, dhimbje fyti e simptoma të tjera, disa qytetarë janë drejtuar për në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, me dyshimin se mund të jenë të infektuar me COVID-19, apo me grip sezonal.

Me simptoma të njëjta, qytetarët janë drejtuar edhe në Qendrat e Mjekësisë Familjare në komunat tjera. Nga këto Qendra tregojnë se pas testimeve të kryera, numri më i madh i tyre ka rezultuar negativ me COVID-19.

Doktoresha në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Drita Gashi ka thëne se së fundmi kanë pasur pacientë që kanë kërkuar trajtim mjekësor për shkak të temperaturës së lartë, dhimbjeve të fytit, molisjes e simptomave tjera, të cilat sipas saj lidhen edhe me grip sezonal edhe me virusin COVID-19.

Ajo ka treguar se gripi i atakon kryesisht rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe se i atakon të gjitha moshat.

Sipas saj, të moshuarit, fëmijët, gratë shtatzëna e pacientët me sëmundje kronike janë ata që rrezikohen më së shumti nga ky grip.

“Gripi si një infeksion viral i cili atakon kryesisht rrugët e sipërme të frymëmarrjes dhe nuk njeh moshë, i atakon të gjitha kategoritë e njerëzve si fëmijët ashtu edhe të rriturit. Më të rrezikuarit janë moshat e shtyra mbi 65 vjeç, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, pacientët të cilët janë me sëmundje kronike si ata me sëmundje kardiovaskulare të enëve të gjakut, pacientët me sëmundje respiratore të mushkërive, gjegjësisht rrugëve të frymëmarrjes, me diabet me sëmundje reumatike, metabolike e tjera”, ka theksuar ajo.

Gashi ka deklaruar se për shkak se simptomat e gripit sezonal janë të njëjta me ato të COVID-19, ata i kanë rekomanduar pacientët që të kryejnë testin për koronavirus.

Ajo po ashtu ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen në mënyrë që të mbrohen nga ky virus.

Ndërsa, edhe drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Nadire Ymeri, ka thënë për gazetën se së fundmi kanë pasur raste që kanë kërkuar trajtim mjekësor e që kanë pasur simptoma të gripit sezonal.

Ajo ka thënë se i kanë udhëzuar ata që të testohen kundër COVID-19 dhe se shumica e tyre pas testimit kanë rezultuar negativ ndaj këtij virusi, si rrjedhojë edhe është konstatuar prania e virusit sezonal.

“Ato raste me simptome të dyshuara se a është grip sezonal apo Covid i kanë bërë testet dhe kanë rezultuar shumica prej tyre negativ dhe janë raste me virus sezonal. Ka raste tani me virus, edhe klima ka ndryshuar andaj është prania e virusit sezonal”, ka deklaruar ajo.

Përndryshe, edhe nga qendrat tjera në komunën e Prishtinës, e po ashtu edhe atë të Gjilanit e kanë pohuar se kanë pacientë që po kërkojnë trajtim mjekësor për shkak të simptomave që lidhen me gripin sezonal, por që gjendja e tyre nuk ka qenë e rënduar.

Simptomat e njëjta me ato të COVID-19, vështirësitë në diagnostikim

Gripi sezonal ashtu si COVID-19 prek rrugët e frymëmarrjes dhe të dyja shkaktojnë probleme të ndryshme shëndetësore te qytetarët. Ndërsa, edhe përhapja e tyre është e njëjtë. Të dy viruset janë lehtë të përhapshme.

Simptomat si: Temperatura, ethet, zënie e hundëve dhe dhimbje të fytit, lodhje e kollë, paraqiten te të dy viruset.

Megjithëse, simptomat që mund të dallojnë COVID-19 nga gripi sezonal janë humbja e shijes dhe nuhatjes.

Derisa simptomat që kanë pacientët e infektuar me COVID-19 janë të ngjashme me ato të gripit sezonal, punëtorët shëndetësorë në Kosovë po i rekomandojnë qytetarët që të testohen për koronavirus.

Ata kanë treguar se ende është e vështirë që të bëhet dallimi mes këtyre dy viruseve në bazë të simptomave, andaj edhe edhe po rekomandojnë qytetarët që të testohen.

Doktoresha, Nadire Ymeri ka treguar për gazetën se përkundër që pacientët mund të jenë me grip sezonal, ata u kërkojnë atyre që të testohen edhe për COVID-19.

Ajo ka deklaruar se e kanë të vështirë t’i dallojnë këto viruse, e sidomos në fazën fillestare.

“Është pak vështirë me i dallu sidomos në fazë fillestare. Nëse kanë simptomat e dyshuara ju rekomandohet të bëjnë testin raport për Covid dhe në bazë të saj nëse është negativ dihet që është virus sezonal dhe shkojmë me terapi dhe me vitaminë C”, ka thënë ajo.

Kujtojmë që Kosova për çdo vit regjistron mijëra raste me grip sezonal. Disa prej tyre përfundojnë edhe me fatalitet.

Andaj, me furnizimin e vendit me vaksina të gripit sezonal, qytetarëve u është kërkuar që t’u drejtohen Qendrave të Mjekësisë Familjare e të vaksinohen.

(Kosova Sot Online)