Sot bëhen një vit që kur ish-presidenti Thaçi dhe krerët tjerë të UÇK’së janë arrestuar nga Gjykata Speciale

  • E.K /
  • 05 November 2021 - 09:35
Sot bëhen një vit që kur ish-presidenti Thaçi dhe krerët tjerë të UÇK’së janë arrestuar nga Gjykata Speciale

Sot me 5 nëntor bëhet një vit që kur ish-presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, janë arrestuar nga Gjykata Speciale.

Me 5 nëntor të vitit 2020 Dhomat e Specializuara në Hagë kishin bërë publike aktakuzën për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Një vit më parë, Thaçi, Veseli, dhe Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë. Ndërkaq, Krasniqi u transferua atje një ditë më parë, më 4 nëntor.

Veprat që rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit kanë të bëjnë me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Në aktakuzën e konfirmuar një vit më parë pretendohej se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.

Seancat e paraqitjes së parë të Thaçit dhe Krasniqit u mbajtën më 9 nëntor 2020 para Gjykatësit të Procedurës Paraprake, Nikola Giju. Gjatë këtyre seancave, ata u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me gjitha pikat e aktakuzës.

Seancat e paraqitjes së parë të Veselit dhe Selimit u mbajtën përkatësisht më 10 dhe 11 nëntor. Të dy të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat.

Më 21 prill 2021, gjykatësi i procedurës paraprake miratoi kërkesat e nëntë viktimave dhe i pranoi ato si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor, Grupi I.

Deri tash janë mbajtur tetë seanca si konferenca për ecurinë e çështjes.

(Kosova Sot Online)