Gjykata: Jemi në fund të çështjes së ZPS-së në gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt

  • E.K /
  • 05 November 2021 - 12:52
Gjykata: Jemi në fund të çështjes së ZPS-së në gjykimin ndaj Gucatit e Haradinajt

Trupi gjykues në krye me Charles L Smith ka pranuar si prova të gjitha provat materiale të dhëna nga dëshmitarja e zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS) Zdenka Pumper, hetuese në këtë zyrë.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i trupit gjykues përmes një urdhri me gojë ku ndër të tjera ka thënë se janë drejt fundit të çështjes së ZPS-së duke theksuar se ka mbetur vetëm edhe një dëshmitar për t’u dëgjuar.

Smith ka thënë se çështjet e tjera pezull, që lidhen më rregullën 102(3) do të trajtohen javën e 15 nëntorit.

Prezantimi i çështjes Gucati-Haradinaj nga ZPS pritet të përfundojë javën që vjen, e sipas trupit gjykues, është shënuar progres në këtë proces.

Koordinatorja e hetimeve në ZPS Zdenka Pumper kishte dëgjuar para trupit gjykues në muajin tetor ku prokuroria kishte kërkuar që disa pjesë të dëshmisë së saj të pranohen si prova materiale.

“Trupi gjykues ka dëgjuar dëshminë e dëshmitares 4841 në periudhën nga 18-26 tetor 2021, gjatë kësaj kohe u shty vendimi për pranimin si dhe një numër të provave materiale. Më 28 tetor 2021 trupi gjykues dëgjoi parashtrimet gojore nga palët sa i takon pranueshmërisë së këtyre provave materiale. Pasi ka shqyrtuar provat materiale dhe ka shqyrtuar me kujdes parashtrimet e palëve, trupi gjykues vendos si më poshtë: Pranueshmëria e përgjithshme e mbrojtjes kundërshtohet, të gjitha provat materiale në kategoritë 1,2,3,4,5 dhe 6 pranohen si prova materiale. Trupi gjykues mendon qe dokumentet në kategorinë 7 nuk janë në aspektin gjyqësor të njoftueshme por pranon që ato do të pranohen si prova në provat individuale”, ka thënë gjykatësi Smith.

Arsyetimi me shkrim për këtë vendim do të jepet javën që vjen.

Trupi gjykues gjithashtu ka pranuar në provat materiale individuale të të gjitha dokumenteve që jepen në kategorinë 8, përveç një dokumenti.

Ndërsa ka shtyrë vendimin për dokumentet e kategorisë 2 që përmbajnë numrin e identifikimit P104 ku gjyqtari Smith ka thënë se në kuadri ne redaktimeve të plota të gjashtë faqeve që përmbajnë informacione përkatëse, trupi gjykues nuk është në pozicion që të bëjë gjetje lidhur me besueshmërinë dhe vlerën provuese të materialit.

Trupi gjykues ka ftuar ZPS-në që të prodhojë një version më pak të redaktuar, ose të paredaktuar të dokumenteve P104 duke redaktuar vetëm atë pjesë që është e nevojshme.

“Për përfitim të publikut, dua të them që ne jemi drejt fundit të çështjes së ZPS-së, kemi vetëm një dëshmitar që ka mbetur, ne do të fillojmë sot ta marrim në pyetje atë dhe do të përfundojmë më të sot ose të hënën, më pas do të bëjmë marrjen në pyetje nga mbrojtja dhe palët e tjera ndoshta edhe të martën në varësi të nxjerrjes së materialeve nga prokuroria sot sa i takon P104 dhe dokumenteve të tjera pezull nënë rregullën 102(3)”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.

Turpi gjykues ka kërkuar nga mbrojtja që të bëjë njoftimin nëse do të ketë mocion për të hequr dorë ose nëse planifikohet të ketë një çështje të mbrojtjes dhe në rast se do të ketë një mocion për të rrëzuar akuza.

“Ne planifikojmë një mocion për rrëzimin, dhe nga ana tjetër planifikojmë që nëse do të na duhet që të përgjigjemi mbase do të ketë një çështje të mbrojtjes po ashtu”, ka thënë avokati i Gucatit, Jonathan Elystan Rees.

Ndërsa avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman ka thënë se vendimi për të thirrur për herë të dytë ndonjë dëshmitar do të mirret pasi të përfundojnë të gjitha dokumentet që janë pezull.

“Sa i takon kërkesës për të hequr dorë pozicioni ynë është që çështja e prokurorisë e prezantuar para nesh deri tani na qon ne në parashikimin që të bëjmë një kërkesë, sigurisht do të ju japim një listë të detajuar të provave që ne synojmë të përdorim dhe siç tha edhe zotëri Rees, ne jemi pragmatik dhe do të duhet të shqyrtojmë nëse duhet të thërriten ose jo edhe njëherë dëshmitarët e përmendur më sipër”, ka thënë Cadman.

Mbrojtja e Gucatit ka bërë të ditur se në fund të çështjes së prokurorisë, Hysni Gucati do të bëjë një deklaratë para gjykatës.

Në dhomat e Specializuara në Hagë ku po zhvillohet gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të dëgjohet dëshmitari i katërt i ZPS-së.

Seanca ka vijuar e mbyllur në pjesën ku trupi gjykues dhe palët kanë diskutuar lidhur me një person të mbrojtur.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020 kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

(Kosova Sot Online)