
Covid-19 rëndon gjendjen në Klinikën e Psikiatrisë, drejtori jep informacione për gjendjen e pacientëve

Në Klinikën e Psikiatrisë kanë kërkuar trajtim numër i madh i pacientëve që prej shfaqjes së rasteve të para me Covid-19.
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Shaban Mecinaj ka thënë se COVID-19 ka ndikuar në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve me probleme kronike.
“Pandemia ka ndikuar negativisht në pacientët tanë kronik, pra në kuptim të përkeqësimit të gjendjes së tyre, por edhe tek shtresat e tjera të popullatës duke u krijuar një ankth dhe shqetësim ku kanë kërkuar ndihmë ambulantore te ne. Kapacitetet tona pothuajse kanë qenë të plotësuar në mënyrë standarde ashtu, sado që gjatë pandemisë ne kemi qenë edhe mirëpritëse edhe të dy klinikave tjera, dhe kemi ofruar mbështetje për klinikat Covid-trajtuese qoftë me infermierë apo staf specialistik”, tha ai.
Mes tjerash drejtori shprehet se në lëmin e shëndetit mendor nuk ka një fazë të rehabilitimit, pasi simptomat e pacientët i manifestojnë më vonë.
“Mendoj që popullata në përgjithësi e sidomos pacientët me cilët në një mënyrë paraqesin psiko-patologji të ndryshme kanë filluar të manifestojnë atë ankthin dhe pasigurinë e tyre dhe pasojat më të mëdha reale dhe të vërteta sa i përket shëndetit mendor sigurisht se do vinë në shprehje pasi të përfundoj edhe zyrtarisht pandemia”, theksoi tutje ai.
Tutje Mecinaj tha se pandemia cilësohet një traumë për njerëzit.
“Siç e dini pandemia Covid-19 në përgjithësi sot cilësohet si një traumë për mbarë njerëzimin dhe në këtë kuptim efektet negative ka pasur edhe në popullatën tonë, sidomos tek pacientët tanë. Në këtë kuptim ka ndikuar shumë edhe informacionet e mangëta të cilat kanë qenë të qasshme në fillim të pandemisë dhe mënyrën e përhapjes dhe trajtimit. Mbi këtë bazë krejt këto e kanë vështirësuar duke krijuar konfuzitet e sidomos tek këta pacientë”, shtoi ai.
(Kosova Sot Online)