Çifti nga Gjermania vizitojnë Vlorën për herë të parë, vëmendjen ua tërheq papastërtia

  • E.K /
  • 13 November 2021 - 15:51
Çifti nga Gjermania vizitojnë Vlorën për herë të parë, vëmendjen ua tërheq papastërtia

Sezoni veror ka përfunduar, por temperaturat e larta dhe moti i qëndrueshëm në vendin tonë, vazhdon të tërheqë turistë nga e gjithë bota.

Chris dhe Uver nga Gjermania kanë udhëtuar me kamperin e tyre, në Greqi, Maltë, Mal të Zi, për të shijuar rrezet e diellit në bregdetin e Vlorës.

“Vijmë nga Gjermania, do të rrimë 1 javë. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri. E gjetëm në hartë, kërkuam një vend ku kishte diell dhe gjetëm Vlorën ku dielli shkëlqen. Ky vend është shumë i bukur. Shqipëria është vend interesant, ka njerëz të mirë. Kemi vizituar Lagunën, Kaninën që është shumë e bukur, shëtitoren”, tha Uver.

Megjithatë, papastërtia e plazhit, i ka rënë në sy turistëve nga gjermania.

“Ka shumë gjera për tu bëre, shishet plastike në plazh, nuk ka pastërti dhe kjo duhet të përmirësohet”, u shpreh Uver.

Edhe për Chris-in natyra është shumë e bukur, por mbeturinat përbëjnë problem.

“Plazhet janë shumë të bukur, por ka shumë mbetje plastike dhe kjo nuk është gjë e mirë. Natyra është e mrekullueshme, rëra, deti, malet, janë mrekulli dhe mendoj që në të ardhmen ky qytet do të jetë flori. Shëtitoret, hotelet e shumtë kanë potencial të jashtëzakonshëm”, u shpreh Chris.

Klima që të ofron vendi ynë, është një ndër faktorët kryesorë që shumë të huaj zgjedhin të bëj turizëm në çdo kohë të vitit. Por pastërtia e plazheve mbetet ende sfidë për pushtetin vendor.

(Kosova Sot Online)