Përplasje mes bandave në një burg

  • A.P /
  • 14 November 2021 - 15:48
Përplasje mes bandave në një burg

Të paktën 68 të burgosur janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur gjatë përleshjeve që ndodhën gjatë fundjavës në burgun “Penitenciaria del Litoral” në Ekuador, shkruan BBC

Burgu, që ndodhet në qytetin jugor të Guajakilit, është i njëjti ku u vranë 119 të burgosur në muajin shtator, kur u zhvilluan përleshjet më vdekjeprurëse në burgjet e Ekuadorit. Pas raportimeve për dhunë të shtunën, forca speciale të ushtrisë u vendosën si përforcime, duke siguruar pjesën e jashtme të objektit me automjete të blinduara.

Forcat e policisë kanë bërë të ditur se gjatë kontrollit të qelive dhe korridoreve të burgut kanë gjetur armë, eksplozivë dhe thika. Qeveria ka specifikuar se përleshjet kanë ndodhur mes bandave të trafikut të drogës, që janë konfrontuar për kontrollin e të burgosurve, raporton abcnews.al

Pablo Arosemena, Guvernatori i provincës ku ndodhet burgu, tha se incidenti i fundit ka ndodhur për shkak se lideri i një prej bandave është liruar nga burgu. Ai specifikoi se në zonën e objektit ku ndodhën trazirat vdekjeprurëse gjendeshin rreth 700 të burgosur.

Ka pasur dhunë të madhe në burgjet e Ekuadorit, shtet në të cilin janë rreth 39,000 persona të burgosur. Në muajin shkurt, si pasojë e dhunës në burgje u vranë 79 të burgosur, dhe 22 të tjerë në një përleshje tjetër në muajin korrik. Burgjet e Ekuadorit aktualisht strehojnë rreth 9,000 të burgosur më shumë nga sa ishte projektuar të mbanin, thonë zyrtarët. Burgu Litoral ishte projektuar për 5,300 të burgosur, por aktualisht mban 8,500. Afro 300 të burgosur kanë vdekur deri më tani këtë vit në burgjet e Ekuadorit.

Në një deklaratë të shkurtër të postuar në Twitter, Presidenti Guillermo Lasso paraqiti ngushëllimet e tij për familjarët e viktimave, duke shtuar se do të vendosen masa të reja për të luftuar kriminelët që përfitojnë nga kaosi.

(Kosova Sot Online)