Cila parti fitoi më shumë komuna në zgjedhjet lokale të 2017 e cila në ato të 2021?

  • E.K /
  • 15 November 2021 - 09:32
Cila parti fitoi më shumë komuna në zgjedhjet lokale të 2017 e cila në ato të 2021?

Partia Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje lokale ka fituar katër komuna më shumë, sesa që kishte fituar në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

PDK-ja ka fituar gjithsej nëntë komuna që i bie se nga partitë shqiptare ka më së shumti sish.

Lista Serbe, ashtu si në zgjedhjet e kaluara lokale, ka fituar 10 komuna.

Lidhja Demokratike e Kosovës tash në krye me Lumir Abdixhikun në këto zgjedhje është fituese në shtatë komuna, përderisa në vitin 2017 udhëhiqte me tetë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që kishte shtatë komuna në 2017 tani është e para në pesë komuna.

Lëvizja Vetëvendosje, që ishte e para në zgjedhjet qendore me 50.28 përqind, në zgjedhjet lokale ka fituar më së paku komuna, pasi do të udhëheqë vetëm me katër prej tyre.

Megjithatë Vetëvendosje në këto zgjedhje lokale ka fituar një komunë më shumë, pasi në vitin 2017 ishte fituese në tre qytete.

Nisma Socialdemokrate ka fituar vetëm në Malishevë në zgjedhjet lokale të 2021-ës, njëjtë sikur në ato të vitit 2017.

Edhe KDTP është fituese në Mamushë në këto zgjedhje, po sikur në ato të 2017-ës.

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara lokale ku kishte dy kandidatë të pavarur fituesë në dy komuna në këto zgjedhje është vetëm Xhafer Gashi me Iniciativën Qytetare për Obiliq.

Aleanca Kosova e Re nuk ka fituar asnjë komunë, derisa në zgjedhjet e kaluara kishte Mitrovicën e Jugut me Agim Bahtirin, i cili më pas kishte kaluar në LVV.

(Kosova Sot Online)