Tre të dërguarit special që do ta përcjellin dialogun Kosovë-Serbi

  • A.P /
  • 02 December 2021 - 20:32
Tre të dërguarit special që do ta përcjellin dialogun Kosovë-Serbi

Gabriel Escobar nga SHBA-ja, Miroslav Lajçak nga BE-ja dhe Sir. Stuart Peach nga Britania e Madhe momentalisht bartin pozita të veçanta karshi politikave të Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu edhe dialogun Kosovë-Serbi.

Gabriel Escobar nga SHBA-ja, Miroslav Lajçak nga BE-ja dhe Sir. Stuart Peach nga Britania e Madhe momentalisht bartin pozita të veçanta karshi politikave të Ballkanit Perëndimor, përfshi këtu edhe dialogun Kosovë-Serbi.

Përgjatë së enjtes kryeministri britanik Boris Johnson njoftoi për emërimin e Sir. Stuart Peach në pozitën e të dërguarit special të Britanisë në Ballkanin Perëndimor.

Në njoftim u bë e ditur se Peach do të jetë i angazhuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

“Puna e Sir Stuart do të mbështesë atë të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të Mbretërisë së bashkuar. Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët tanë në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë të ndërmjetësuar nga BE”, deklarohet në njoftim.

Peach, i cili mban titullin “Sir”, ishte shef i Komitetit ushtarak të NATO-s dhe shef i Shtabit të Mbrojtjes në Britaninë e Madhe. Më 2000, ai shërbente si komandant i forcave ajrore të NATO-s në Kosovë.

Gabriel Escobar, si pasues i Matthew Palmer, në nëntor të këtij viti iu zyrtarizua detyra si i dërguari special i BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Në njoftimin e Departamentit të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, thuhej se Escobari “po punon në dialogun Kosovë – Serbi, që po ndërmjetësohet nga BE-ja, sigurimin për anëtarësimin rajonal (Ballkanin Perëndimor) në BE dhe presionin e udhëheqësve të Bosnjës për të çuar përpara reformën dhe respektimin e sovranitetit/integritetit territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës”.

Diplomati i karrierës, Escobar që nga viti 1998 ka mbajtur pozicione të njëpasnjëshme në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mali të Zi. Së fundi ka qenë zëvendësambasador amerikan në Beograd.

Miroslav Lajçak u emërua në mars të vitit të kaluar në detyrën e të dërguarit special të Ballkanit perëndimor nga Këshilli Evropian. Lajçak është diplomat sllovak që më parë ka shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme të Sllovakisë dhe si President i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për seancën e 72-të (2017-2018). Ai ishte Përfaqësues Special i BE-së për Bosnje-Hercegovinën nga 2007-2009, ndërsa gjithashtu vepronte si Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare atje.

Escobar, sikurse Lajçak, kanë vazhduar të bëjnë thirrje për vazhdim dialogu, si dhe një marrëveshje përfundimtare ndërmjet dy vendeve. SHBA-ja ka qenë më e zëshme në përfundimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse në të cilën përfshihet njohja reciproke mes dy vendeve.

Lajçak së fundmi ka vizituar Kosovën dhe Serbinë duke u takuar me kryeministrat e të dy vendeve për të diskutuar lidhur me një datë të dialogut, vizitë kjo e cila rezultoi e pasuksesshme.

(Kosova Sot Online)