Militantët në shtetin afrikan vrasin drejtuesin dhe ia vënë flakën autobusit, 31 të vdekur

  • S.A /
  • 04 December 2021 - 08:29
Militantët në shtetin afrikan vrasin drejtuesin dhe ia vënë flakën autobusit, 31 të vdekur

Së paku 31 persona kanë vdekur në pjesën qendrore të Malit, pasi militantët sulmuan një autobus që po bartte civilë duke shkuar në punë në një shitore, kanë thënë zyrtarët e këtij vendi.

Persona të armatosur e të paidentifikuar hapën zjarr dhe e vranë drejtuesin e autobusit, para se t’ia vinin flakën mjetit të transportit, sipas autoriteteve.

Shumica e viktimave ishin gra që po shkonin për të punuar në një dyqan, i thanë burimet agjencisë së lajmeve, EFE. Mali po përballet me eskalim të sulmeve nga militantët kohëve të fundit, shkruan BBC.

Sulmi ndaj autobusit ndodhi në rajonin Mopti, që është përballur me eskalim të dhunës muajve të fundit, të nxitur nga luftëtarët e lidhur me grupet famëkeqe, Al-Qaeda dhe ISIS.

Tragjedia me autobus erdhi vetëm një ditë pasi militantët sulmuan një konvoj të OKB-së në veri të vendit, duke vrarë një punëtor civil e duke plagosur një tjetër.

Sulmet e militantëve janë shtuar në Mali, pasi dy puçe ushtarake brenda 16 muajve kontribuuan që vendi të ketë qeveri të dobët qendrore dhe pasi Franca i ndërpreu operacionet e përbashkëta ushtarake mes ushtrisë së këtij vendi dhe 5.100 trupave që ka në Mali.

(Kosova Sot Online )