Zbulohen dërgesat elektronike, djali i Bidenit donte takim me ish-presidentin serb, Boris Tadiq

  • G.G /
  • 04 December 2021 - 14:09
Zbulohen dërgesat elektronike, djali i Bidenit donte takim me ish-presidentin serb, Boris Tadiq

I biri i presidentit Joe Biden, Hunter Biden, kishte planifikuar një takim për investime me presidentin e atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiq, dhe me “individë të pasur” dhe kishte planifikuar që të organizonte një udhëtim me veturë me atëherë nënpresidentin e ShBA-së, Joe Biden, kur ai kishte udhëtuar në Evropë për një vizitë zyrtare, sipas dërgesave elektronike të zbuluara së fundi.

Dërgesat, të publikuara nga “Fox News”, tregojnë se si Hunter ishte duke krijuar ndërlidhje me një agjent të huaj serb dhe me ambasadorin e atëhershëm serb në ShBA në prill të vitit 2010 për ta organizuar takimin e mundshëm për investime, shkruan New York Post.

Shkrimet elektronike tregojnë se Mark Doyle, që më parë kishte shërbyer si këshilltar i lartë për Joe Bidenin, atëherë senator, dhe si drejtor për financa kombëtare në kandidaturën e pasuksesshme të Bidenit për president më 2008, kishte vënë kontakte me Hunter-in më 16 prill 2010, për t’i thënë se ishte takuar me shefin e stafit të presidentit të atëhershëm serb dhe se ata kishin pyetur për shprehjen e interesit të Bidenit të ri për organizimin e një takimi.

Raportohet se Hunter ishte takuar me ambasadorin serb në Shtetet e Bashkuara, Vladimir Petroviq, dhe me këshilltarin e Tadiqit për siguri kombëtare, Jovan Ratkoviq, dy muaj më parë.

Image

Sipas “Fox News”, një shkresë elektronike e djalit të Presidentit Biden, Hunter, dërguar ambasadorit të atëhershëm të Serbisë në ShBA, Vladimir Petroviq

Doyle, i cili operonte si agjent i huaj serb në atë kohë përmes firmës së tij, “Prairie Avenue Advisors”, kishte vënë në pah se ambasadori duhet t’ia kishte transmetuar bisedat e Hunter-it te ekipi i presidentit serb.

“Mendoj se keni përmendur që keni folur me ta për t’ju vënë ju përballë individëve të pasur dhe ata janë të gatshëm për ta bërë këtë dhe që gjithashtu ju ta takoni Tadiqin”, kishte shkruar Doyle, duke shtuar se do të udhëtonte në Serbi në maj.

“Ndjesia ime nga (ambasadori) Vladimir është se ata janë shumë të gatshëm për të të ndihmuar me fondin tënd. Nëse keni interesim, thjesht mund ta thërrasësh Vladimirin drejtpërdrejt, nuk keni nevojë për mua në mes. Mendoj se do të ishte mirë për ty dhe për fondin që të shkosh.

Doyle tha se ambasadori donte që të organizonte një “ditë të plotë” me Tadiqin dhe me “investitorët e mundshëm”, të cilët i përshkruante si “njerëz shumë seriozë”, sipas shkresave elektronike.

Image

Sipas “Fox News”, një shkresë elektronike e ambasadorit të atëhershëm serb në ShBA, Vladimir Petroviq, dërguar djalit të presidentit Biden, Hunter Biden. Në shkresë, Petroviqi i thoshte Hunter-it se mezi prisnin që ai ta vizitonte Serbinë.

Një shkresë elektronike e dërguar një javë më vonë nga partneri i Hunter-it në biznes, Eric Schwerin, vë në pah se i biri i Bidenit donte ta organizonte takimin menjëherë pas vizitës në Madrid me babanë e vet.

Më 29 prill të vitit 2010, Hunter i kishte dërguar një shkresë ambasadorit duke thënë se ka pasur një ndryshim në orarin e tij dhe se nuk ishte i sigurt nëse mund ta bëjë takimin në maj, duke shtuar se donte që të përpiqej për ta realizuar vizitën në muajt në vijim.

Nuk është e qartë nëse Hunter-i përfundimisht kishte udhëtuar për në Serbi dhe nëse ishte takuar me investitorët.

Sipas televizionit “Fox News”, Hunter kishte mbajtur kontakte me ambasadorin e atëhershëm serb, Vladimir Petroviq, pasi ky i fundit ishte larguar nga posti i ambasadorit dhe ishte bërë lobues në Uashington.

Hunter Biden nuk i është përgjigjur menjëherë kërkesës së “New York Post”-it për koment rresh shkresave elektronike me ish-ambasadorin serb.

(Kosova Sot Online)