Prokurori gjerman: Burri vrau gruan, tre fëmijët e veten për një certifikatë të falsifikuar vaksinimi

  • E.K /
  • 07 December 2021 - 15:31
Prokurori gjerman: Burri vrau gruan, tre fëmijët e veten për një certifikatë të falsifikuar vaksinimi

Një prokuror gjerman tha të martën se tha se një burrë, që vrau bashkëshorten, tre fëmijët dhe veten, kishte falsifikuar një certifikatë vaksinimi dhe frikësohej se autoritetet do t’ia merrnin fëmijët, kur falsifikimi ishte zbuluar.

Policia gjeti të shtunën dy të rritur, të dy të moshës 40-vjeçare, dhe tre fëmijë – të moshave 4, 8 dhe 10 vjeç –  të vdekur nga të shtënat me armë në një shtëpi në Koenigs Wusterhausen, në jug të Berlinit, shkruan Reuters.

Në një letër lamtumire, që e ka gjetur policia, burri tha se ka falsifikuar një certifikatë vaksinimi për bashkëshorten e tij. Punëdhënësi i gruas e kishte zbuluar falsifikimin, duke bërë që çifti të frikësohej se do të arrestoheshin dhe se do t’i humbnin fëmijët, i tha agjencisë “Reuters” prokurori Gernot Bantelon.

Policia u thirr për të shkuar në shtëpi, pasi u njoftua nga dëshmitarët se kanë parë trupa të pajetë aty, thanë të shtunën policia dhe prokuroria gjermane.

Lajmi i tmerrshëm vjen në kohën kur Gjermania i ka ashpërsuar masat kufizuese në përpjekje për ta luftuar valën e katërt të pandemisë. Nga muaji i kaluar, punëtorëve u është kërkuar dëshmia e vaksinimit, e kalimit të virusit ose e një testi negativ për Covid-19.

Autoritetet gjermane javën e kaluar u pajtuan që personave të pavaksinuar t’ua ndalojnë qasjen në shumicën e bizneseve, me përjashtim të atyre që janë të domosdoshme për nevojat elementare si shitoret e prodhimeve ushqimore, furrat e bukës dhe barnatoret.

(Kosova Sot Online)