Gjykimi për korrupsion në Gjilan, eksperti i ndërtimtarisë thotë se nuk ka institucion kredibil për të parë cilësinë e asfaltit

  • A.P /
  • 07 December 2021 - 17:27
Gjykimi për korrupsion në Gjilan, eksperti i ndërtimtarisë thotë se nuk ka institucion kredibil për të parë cilësinë e asfaltit

Eksperti i ndërtimtarisë, Naim Hasani, ka deklaruar se në vendin tonë nuk ka ndonjë institucion kredibil që do të konstatonte cilësinë e një asfalti.

Këtë deklarim, eksperti Hasani e bëri në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjilan, në rastin ku për korrupsione mashtrim po akuzohen Salih Kqiku, Valon Shefkiu, Izet Kurteshi, Ganimete Kastrati, Muhadin Zuka, Fatlum Pireva dhe Suad Pireva, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të dëshmisë së tij, eksperti Hasani deklaroi se mbetet në tërësi pranë ekspertizës së hartuar sa i përket tenderit “Asfaltimi i rrugës në fshatin Përlepnicë” deri te kompleksi “Vali Ranch”.

Ai tha se në bazë të projektit është paraparë të ndërtohet trashësia e rrugës 11 cm dhe në bazë të matjeve, nga të cilat 7 cm bitozhavor dhe 4 cm asfalt beton, ndërsa rruga ka një trashësi mesatare 8.93 cm.

“Ne me rastin e ekspertimit kemi bërë vetëm matjen e sasisë së asfaltit të shtruar, ndërsa sa i përket cilësisë nuk kemi ndonjë institucion kredibil për llogaritjen e cilësisë, dërgimi jashtë vendit kushton shumë”, ka thënë eksperti Hasani.

Ai ka thënë se rruga ka qarje asfalti, e se në projekt është paraparë që rruga të ketë bankina në dy anët nga një metër, por që mesatarja nuk ka rezultuar as gjysmë metër.

Ndryshe, para dëgjimit të tij, ka vazhduar dëshminë e tij eksperti financiar Riza Balakaj, të cilën e kishte filluar në seancën e 4 nëntorit.

Eksperti Blakaj tha se aktvendimi për hartimin e ekspertizës financiare dhe detyrat në aktvendim janë dhënë nga prokurori i shtetit.

Ai ka deklaruar se si ekspert financiar nuk ka trajtuar fare çështjet nga procedurat e prokurimit, sepse të njëjtat nuk kanë qenë të parapara si detyra të tij.

“Nga shkresat e lëndës nuk rezulton se bëhet fjalë për të njëjtën urë, por bëhet fjalë për urë të ngjashme. Ura te “Bilallët” dhe ura te “Vali Ranch” nuk është çështje e ekspertizës që të caktoj çmimin e punimeve të tyre”, ka thënë eksperti Blakaj.

Ai gjithashtu ka shtuar se nëse në dosjet e tenderit është paraparë që edhe projektin ta siguroj ofertuesi përkatës, atëherë bie që ai do ta bënte projektin të cilin normalisht autoriteti kontraktues do ta shqyrtonte. Përndryshe, siç tha ai, nëse projekti ka qenë i gatshëm nga autoriteti kontraktues, atëherë ofertuesi duhet të i referohet atij projekti.

“Në rastin e realizimit të ekspertizës unë jam bazuar në ekspertizën e ekspertit të ndërtimtarisë. Nuk e kam konstatuar trashësinë e asfaltit sepse këtë e ka bërë eksperti i ndërtimtarisë”, ka thënë eksperti Blakaj.

Ai gjithashtu ka shtuar se nëse ndryshojnë të dhënat në ekspertizë të ndërtimtarisë, ndryshojnë edhe shumat e parallogaritura në ekspertizën financiare.

Pas dëgjimit të tyre, seanca e radhës është caktuar të mbahet më 27 janar 2022, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i pandehuri Salih Kqiku në cilësinë e personit zyrtar si Udhëheqës i Zyrës së Prokurimit Publik, pa i përmbushur detyrat e tij zyrtare, në bashkëkryerje me të pandehurin Valon Shefkiu, menaxher i projektit, kanë lidhur kontratë me operatorin ekonomik për asfaltimin e katër rrugëve të reja në projektin “Asfaltimi i rrugës në fshatin Përlepnicë” deri te kompleksi “Vali Ranch” me vlerë të kontratës prej 245 mijë e 825 euro e 89 centë.

Aktakuza thotë se në projekt ka qenë e paraparë që trashësia e asfaltit duhet të jetë 11.00 cm, ndërsa është implementuar 8.93 cm që do të thotë më pak se trashësia sipas projektit për 2.07cm.

Tutje, thuhet se të pandehurit nuk kanë përcjellë këtë ndryshim edhe pse në bazë të ligjit mbi prokurimit në bazë të detyrave dhe autorizimeve kanë qenë të obliguar për mbikëqyrjen dhe përcjelljen e kontratës me rastin e implementimit, ashtu që për veprimet e tyre i është shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në shumën prej 10 mijë e 702 euro e 23 centë.

Me këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Po ashtu, të njëjtit, sipas aktakuzës akuzohen se kanë lidhur aneks kontratë, me të cilën është kontraktuar për të dytën herë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc” duke theksuar se aneks kontrata është mbështetur në përmasa dhe parallogari tjetër, nga e cila rezulton se ndërtimi i urës ka përfshirë punët e dheut në vlerë prej 7 mijë e 881 euro e 16 centë dhe objektin (urën) në vlerë prej 15 mijë e 239 euro e 39 centë, gjithsej në shumë prej 23 mijë e 120 euro e 55 centë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, për ndërtimin e kësaj ure ka munguar projekti i veçantë dhe se është zbatuar një projekt tjetër mbi bazën e të cilit është ndërtuar ura në Malësinë e Karadakut, përkatësisht ura në lagjen e Bilallëve, e cila është konsideruar nga të pandehurit se është ekuivalente me urën për të cilën mungon projekti, ashtu që diferenca e kontraktuar dhe e paguar më tepër është 14 mijë e 818 euro e 98 centë.

Me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri Salih Kqiku akuzohet se në bashkëkryerje edhe me të pandehurit Izet Kurteshi dhe Ganimete Kastrati menaxherë të projektit, në atë mënyrë që anëtarët e komisionit Valon Shefkiu, Arsim Ibrahimi e Bashkim Bunjaku, përkundër vërejtjeve të tyre që i kanë paraqitur për punët e filluara dhe të kryera, kanë kërkuar nga zyra e prokurimit udhëzime dhe përgjigje se si të veprohet më tutje, mirëpo të njëjtit kurrfarë përgjigje nuk ua kanë dhënë, ashtu që anëtarët e komisionit në vendim kanë sqaruar se nuk bartin përgjegjësi për punët e ekzekutuara dhe nuk mund të kryejnë punën e mbikëqyrjes profesionale.

Gjithnjë sipas aktakuzës, është bërë faturimi i punëve të kryera në shumë prej 231 mijë e 94 euro e 96 centë, ku është përfshirë edhe shuma e aneks kontratës 20 mijë e 99 euro e 36 centë, dhe nga kjo konsiderohet dëm i shkaktuar komunës së Gjilanit në vlerë prej 3 mijë e 496 euro e 33 centë.

Me këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Kompania private “Zuka Comerc” me seli në Gjilan, akuzohet se në cilësi të personit juridik ka kryer punët joprofesionale ndërtimore në kundërshtim me standardet e parapara profesionale, me ç’rast shuma e përgjithshme në përftimin material me qëllim përvetësimi për veten dhe në dëm të komunës është 25 mijë e 521 euro e 21 centë.

I pandehuri Muhadin Zuka, akuzohet se si person fizik përfaqësues i autorizuar i personit juridik “Zuka Comerce”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i ka paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ngase nuk ka realizuar rrugën sipas kontratës, duke shkaktuar dëm material me qëllim përvetësimi për vete, në dëm të komunës së Gjilanit në shumë prej 25 mijë e 521 euro e 21 centë.

Me këtë, ka kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 355, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Tutje, kompania private ‘El-Bau” me seli në Gjilan, akuzohet se në cilësi të personit juridik ka vënë në lajthim komunën e Gjilanit, duke mos iu përmbajtur kontratës sipas tenderit, me ç’rast shuma e përgjithshme në përftimin material me qëllim përvetësimi për veten në dëm të komunës së Gjilanit është në shumë prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.

Me këtë, ka kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 355, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

Ndërsa, të pandehurit Fatlum Pireva dhe Suad Pireva, akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ashtu që të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.

Me çka, kanë kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 355, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.

(Kosova Sot Online)