Policia jep garancë për Gucatin e Haradinajn

  • G.G /
  • 09 December 2021 - 11:13
Policia jep garancë për Gucatin e Haradinajn

Jo vetëm për ish-presidentin Hashim Thaçi e ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.

Policia e Kosovës ka dhënë garancë edhe për lirimin nga paraburgimi të krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Nasim Haradinaj e Hysni Gucati.

Një gjë e tillë e ka konfirmuar për FrontOnline, zëdhënësja e Gjykatës Special, Angela Griep.

Ajo ka thënë se trupi gjykues ka pranuar informacione lidhur me zbatueshmërinë e lirimit me kusht për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn.

“Me datën 22 tetor, gjykatësit urdhëruan policinë e Kosovës që të sigurojë informacione lidhur me zbatueshmërinë e lirimit me kusht për Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn. Trupi gjykues ka pranuar informacionin e kërkuar nga policia e Kosovës më datë 25 nëntor”, ka thënë ajo.

Sipas Griep, Specialja do të vendos nga 10 deri më 16 dhjetor për vazhdimin ose jo të paraburgimit për Hysni Gucatin dhe Nasim Hardinajn.

“Këtë javë, Trupi Gjykues urdhëroi Prokurorinë e Specializuar dhe Mbrojtjen që të dorëzojnë çdo vërejtje mbi raportin e policisë së Kosovës, ndër çështjet tjera që kanë të bëjnë me shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit, përkatësisht deri më 10 dhjetor, respektivisht 16 dhjetor”, është shprehur ajo.

Gucati dhe Haradinaj po vazhdojnë të mbahen në paraburgim që nga viti i kaluar, nën akuzat për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Pak muaj pas arrestimit, prokurorët e specializuar kishin ngritur aktakuzë ndaj tyre, e cila ishte konfirmuar më 14 dhjetor 2020.

Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj, në prill dhe shtator 2020, bënë deklarata akuzuese për dëshmitarët që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe persona tjerë.

Prokuroria i ngarkon ata për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që i ngarkojnë ata.

(Kosova Sot Online)