
Kurti takon Drejtorin Rajonal të BERZH-it, ia përsërit tregimin për rritjen ekonomike 9.9%

Kryeministri Albin Kurti ka takuar Drejtorin Rajonal të BERZh-it Matteo Colangeli të cilit ia ka përsëritur tregimin e rritjes ekonomike të Kosovës prej 9.9%. Colangeli sot ka nënshkruar marrëveshje edhe me ministrin e Financave, Hekuran Murati për ndërtimin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Mitrovicë.
“Kryeministri Kurti përmendi synimin dhe planet e qeverisë për sistemin dual të arsimit, si zgjidhja drejt zvogëlimit të hendekut në mes të aftësive profesionale dhe tregut të punës. Kjo do të mundësonte rritjen e produktivitetit brenda sektorit privat dhe rrjedhimisht gjenerimin e vendeve të reja të punës, si një nga prioritetet e qeverisë sonë, tha kryeministrit Kurti. Ai po ashtu foli edhe për reagimin pozitiv të ekonomisë gjatë qeverisjes së tij, me ç’rast të hyrat janë rritur për 1/3-tën, eksportet janë rritur për 2/3-tën ndërsa sipas vlerësimit të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia jonë do të rritet për 9.9%”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Kurti në takim me Drejtorin Rajonal të BERZh-it ka thënë se Kosova synon që të dekarbonizojë energjinë deri në vitin 2050.
“Kryeministri Kurti e falënderoi z.Colangeli dhe BERZh-in për nënshkrimin e marrëveshjes në fjalë, duke e cilësuar atë si shumë të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës, e cila kontribuon në shëndetin publik. Ndërsa z. Colangeli shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin e deritanishëm dhe tha se BERZh-i është i vendosur për të rritur shkallën e mbështetjes në Kosovë në fushat me interes të përbashkët. Një prej këtyre fushave është ajo e mjedisit dhe energjisë. Me këtë rast, kryeministri Kurti e njoftoi z.Colangeli dhe delegacionin e pranishëm se jemi duke punuar në hartimin e Strategjisë së Energjisë e cila përveç dekarbonizimin deri në viti 2050, për vizion ka edhe pastrimin e ajrit. Në të njëjtën kohë, kjo strategji synon që të ruaj sigurinë e furnizimit me energji dhe përballueshmërinë për konsumatorët duke rritur përdorimin e energjisë së pastër, dhe të sigurojë integrimin në tregun rajonal. Pra një tranzicion të drejtë dhe të gjelbër energjetik”, u shpreh Kurti.
(Kosova Sot Online)