Edhe 11 persona kanë marrë statusin e viktimave kundër Thaçit e të tjerëve

  • G.G /
  • 14 December 2021 - 12:40
Edhe 11 persona kanë marrë statusin e viktimave kundër Thaçit e të tjerëve

Me vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake të Dhomës së Specializuar të Kosovës në Hagë, Nikola Giju, statusin e viktimës e kanë marrë edhe 11 aplikantë në rastin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Ky është vendimi i dytë i gjyqtarit Giju lidhur me pjesëmarrjen e viktimave në rastin kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas faqes së internetit të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, këto 11 viktima do të përfshihen në grupin ekzistues 1 (i cili tashmë përfshin nëntë persona) dhe do të përfaqësohen nga i njëjti përfaqësues ligjor i viktimave.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi u arrestuan më 5 nëntor 2020, kur u transferuan në paraburgimin e Hagës, ku edhe ndodhen.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në 40 vende në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë ku sipas aktakuzës njerëzit janë privuar pa të drejtë nga liria, janë torturuar dhe vrarë.

Aktakuza pretendon se krimet për të cilat ata akuzohen janë kryer më së voni midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në disa vende në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Çahan, në veri të Shqipërisë.

Në aktakuzë theksohet se viktimat ishin kryesisht serbë, por edhe shqiptarë që konsideroheshin si tradhtarë. Konferenca e statusit për çështjen ndaj të katërve është caktuar për nesër, më 15 dhjetor.

(Kosova Sot Online)