Ambasadori rus kujton raportet strategjike Moskë -Beograd në ditën kur BE i hapë kapitujt me Serbinë

  • E.K /
  • 14 December 2021 - 13:13
Ambasadori rus kujton raportet strategjike Moskë -Beograd në ditën kur BE i hapë kapitujt me Serbinë

Ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Kharchenko, ka mbajtur sot një ligjëratë me temën “Partneriteti strategjik mes Rusisë dhe Serbisë dhe situata në Ballkan”, për të rikonfirmuar raportet strategjike mes dy shteteve. Në anën tjetër BE-ja sot ia ka hapur grupin e katërt të kapitujve Serbisë që është hap drejt integrimit të saj në Bashkimin Evropian.

Ambasadori Kharchenko që kishte bërë një vizitë në bazën ushtarake të Serbisë në Rashkë në kohën e tensioneve në veriun e Kosovës me bllokimin e rrugëve në dy pikat kufitare në muajin shtator ka deklaruar poashtu se është “budallaki” kërkesa e Kosovës për njohje nga Serbia.

Në ligjëratën e tij ambasadori Kharchenko ka deklaruar se BE-ja duhet të bëjë presion mbi Kosovës për t’i impelemntuar të gjitha marrëveshjet e nënshkruar veçanërisht themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai poashtu ka kërkuar edhe largimin e Përfaqësuesit të Lartë të komunitetit ndërkombëtar për Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

BE-ja ia ka hapur Serbisë edhe Grupin e katërt të kapitujve në kuadër të Kapitullit 4 për integrim në BE. Sot është mbajtur Konferenca Ndërqeveritare në Bruksel në të cilën po merr pjesë kryeministrja Ana Brnabiq dhe Ministrja e Integrimeve Evropiane, Jadranka Joksimoviq.

Grupi i katër i kapitujve – Agjenda e Gjelbër dhe Lidhshmëria e Qëndrueshme, përfshin katër kapituj – Politika të Transportit, Energjia, Rrjetet Trans-Europiane dhe Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike.

(Kosova Sot Online)