Ish-ministri serb: Vëllai i Vuçiqit do të futet në listë të zezë nga SHBA-ja

  • A.P /
  • 14 December 2021 - 17:14
Ish-ministri serb: Vëllai i Vuçiqit do të futet në listë të zezë nga SHBA-ja

Ish-ministri serb, avokati Bozo Preleviq tha se beson se Andrej Vuçiq, vëllai i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do të futet në listë të zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai tha për “Danas” se kjo do të ndodhë sepse hetimi i administratës amerikane është marrë me lidhje kriminale mes biznesmenëve dhe politikanëve në rastin e sanksionimit të Zvonko Veselinoviqit, Milan Radoiçiqit dhe 11 anëtarëve të grupit të tyre kriminal.

“Ajo deklaratë nuk më habit sepse kam vite që marr informacione për pjesëmarrjen e Andrej Vuçiqit në pothuajse të gjitha marrëveshjet e mëdha korruptive, veçanërisht në Vojvodinë. E parashikova publikisht edhe vendosjen e sanksioneve për arsyen e thjeshtë se ka agjenci serioze të pavarura që mbledhin të dhëna për krimin e organizuar dhe pastrimin e parave. Nuk është sekret se kush është i afërt me kryesinë e SNS, qoftë edhe për të huajt”, tha ai.

Bozo Preleviq

“Kanë shkruar shumë qartë se nga njëra anë është një ndihmë në zgjedhje duke pastruar para nga projektet shtetërore. Dmth ti vidh njerezit e tu dhe nga pjesa e vjedhur financon mediat dhe merr nje shtet te kapur “krim-Xhim”. Epo, besoj se sanksionet do të vlejnë edhe për Xhimin edhe për krimin”, deklaroi Preleviq.

Departamenti i Thesarit i SHBA-së javën e kaluar i ka vënë në listën e sanksioneve, nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, biznesmenin nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviq, vëllain e tij, Zharkon dhe 10 persona të tjerë të lidhur me ta.

Me futjen e tyre në listë të sanksioneve, prona e tyre kryesisht bllokohet dhe qytetarëve amerikanë u ndalohet të bashkëpunojnë me ta.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se “këto sanksione shënjestrojnë autorët e korrupsionit, në përputhje me Urdhrin Ekzekutiv 13818”, i cili bazohet në Aktin Global të Përgjegjshmërisë për të Drejtat e Njeriut, i njohur si Akti Magnitsky.

(Kosova Sot Online)