
Demokratë dhe Republikanë së bashku i bëjnë apel Shtëpisë së Bardhë që të armatosin sa më shpejt Ukrainën

Ligjvënësit amerikanë që sapo janë kthyer nga një vizitë në Ukrainë paralajmërojnë se kërcënimet e Uashingtonit me sanksione dhe manovra diplomatike nuk janë të mjaftueshme për të bindur presidentin rus Vladimir Putin të heqë dorë nga një sulm i mundshëm kundër Ukrainës.
Grupi i ligjvënësve demokratë dhe republikanë vizitoi Kievin të shtunën dhe të dielën, ku u takua me komandantin e forcave speciale të Ukrainës dhe me operatorët specialë të Shteteve të Bashkuara dhe trupat e Gardës Kombëtare, të cilët po ndihmojnë në stërvitjen e ushtrisë ukrainase.
Ata e përshkruan situatën si “shumë shqetësuese” dhe i kërkuan Shtëpisë së Bardhë të përshpejtojë dërgimin e armëve për forcat ukrainase me shpresën për të shmangur një sulm rus.
“Të them të drejtën, premtimet për veprime të forta në rast të një sulmi, do të kenë një ndikim të vogël në llogaritë e Putinit”, u tha gazetarëve të martën ligjvënësi republikan Michael Waltz.
“Putini është duke e bërë këtë, kryesisht sepse ai mendon se mund të shmangë pasojat”, shtoi ligjvënësi Waltz. “Duhet të ndihmojmë Ukrainën që të forcohet dhe të rrisim kostot (me të cilat do të përballej Rusia nëse sulmon Ukrainën) tani”.
Edhe ligjvënësit demokratë që vizituan Ukrainën i kërkuan Shtëpisë së Bardhë të ndërmarrë veprime që do ta bëjnë Rusinë të ndjejë menjëherë pasojat e një sulmi të mundshëm ndaj Ukrainës.
“Nëse Putini sulmon, unë dua që ai ta dijë se ai do të ndeshet me pasoja brenda pesë minutave, jo nga një konferencë e vendeve të NATO-s mbi masat që duhet ndërmarrë në javët pasuese“, tha ligjvënësi demokrat Seth Moulton.
“Ne duhet të komunikojmë qartë se si armët që ne ofrojmë do të shkaktojnë humbje të mëdha për trupat ruse që në ditën e parë të një sulmi, dhe jo vetëm pas kalimit të një periudhe të caktuar kohore”, tha ai. “Jo vetëm t’i bindësh ose të përpiqesh t’i bindësh se një sulm i tillë do të jetë i dhimbshëm, por se një operacion pushtimi i shkallës së gjerë do të jetë i vështirë për t’u ndërmarrë menjëherë“, shtoi ligjvënësi Moulton.
Ligjvënësit shprehën gjithashtu besimin se ndryshe nga viti 2014, kur Rusia pushtoi Krimenë, forcat ukrainase tani janë të përgatitura për një rezistencë të fortë, nëse Putini dërgon trupa ruse atje. Megjithatë, ata thanë se nuk do të ishte realiste të mendohej se trupat ukrainase mund të rezistojnë për një kohë të gjatë.
“Unë mendoj se ajo për të cilën duhet të punojmë në të ardhmen e afërt, pikërisht tani, është krijimi i aftësisë për një rezistencë të fortë në luftërat jokonvencionale“, tha demokrati Ruben Gallego.
Disa analistë kanë sugjeruar se një strategji e tillë, që synon t’i imponojë Moskës një kosto ushtarake, mund të funksionojë.
“Unë mendoj se nëse Putini nis një sulm madh, kjo mund të jetë shumë e kushtueshme për të”, tha Luke Coffey nga Fondacioni Heritage me qendër në Uashington të hënën në përgjigje të një pyetjeje nga Zëri i Amerikës.
“Ata kanë një sistem rezervistësh shumë të fortë në Ukrainë dhe mund të angazhojnë një numër të madh forcash”, tha ai. “Pa dyshim që sa më në perëndim të lëviznin forcat ruse, aq më e fortë do të bëhej rezistenca kundër tyre”, tha eksperti Coffey.
(Kosova Sot Online)