Qeli burgu me qira në Kosovë, aktivistja ka dyshime për motivet e Danimarkës

  • E.K /
  • 16 December 2021 - 11:01
Qeli burgu me qira në Kosovë, aktivistja ka dyshime për motivet e Danimarkës

Kosova dhe Danimarka së shpejti mund të arrijnë një marrëveshje ku kjo e fundit merr me qira 300 qeli burgu në Kosovë. Për këtë çështje është raportuar në mediat ndërkombëtare prestigjioze si The Guardian, por nga Ministria e Drejtësisë ende nuk kanë folur.

Në këtë çështje është përfshirë aktivistja e të drejtave të njeriut, Maryam Alkhawaja teksa ka ngritur dyshime mbi kërkesën e Danimarkës për të marrë me qira qelitë e burgjeve të Kosovës. Ajo ka thënë se çështja është se pse po bëhet kjo.

“Nuk është shkaku i mungesës së hapësirës në Danimarkë që qeveria dëshiron të marrë me qira hapësirë për 300 të burgosur në Kosovë, pra pyetja që duhet të bëhet është pse? Dhe, nëse do të respektohen rregullat, të drejtat dhe ligjet që implementohen në Danimarkë edhe për ata në Kosovë?”, shkruan Maryam Alkhawaja në Twitter.

Kapaciteti i burgjeve në Danimarë duhet të rritet në mënyrë që t’u bëhet vendi rreth 1 mijë të burgosurve, thotë ministri danez i Drejtësisë, Nick Hækkerup.

E Kosova mund t’i ndihmojë Danimarkës duke i dhënë me qira 300 qeli burgu, raporton berlingske.dk.

Kështu deklaroi ministri danez ku ndër të tjera tha se të burgosurit vijnë nga shtetet e botës së tretë.

“Ne pajtohemi se duhet marrë me qira burgje në Kosovë për të deportuar të borgosurit që vijnë nga shtetet e botës së tretë”, ka theksuar ministri Hækkerup.

Ministri gjithashtu bëri me dije se marrëveshja finale ende nuk është e nënshkruar, por të dyja palët mendojnë se ka kuptim.

“Por kam shumë besim (në nënshkrimin e marrëveshjes), sepse të dyja palët (Kosova dhe Danimarka) mendojnë se ka kuptim”, tha ministri.

Tutje, ministri danez garantoi vizitat për të dënuarit e deportuar, megjithëse tha se do të jetë e vështirë.

“Të dënuarit e deportuar në Kosovë kanë ende mundësi për vizita, edhe pse sigurisht që do të jetë e vështirë”, thotë ai.

Për kërkesen e Danimarkës media ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Drejtësisë por akoma nuk kanë kthyer.

(Kosova Sot Online)