Shkon në 5 numri i fëmijëve të vdekur nga fatkeqësia me lodrën nga ajri

  • E.K /
  • 16 December 2021 - 12:32
Shkon në 5 numri i fëmijëve të vdekur nga fatkeqësia me lodrën nga ajri

Ka shkuar në pesë numri i fëmijëve të vdekur nga rrëzimi i një kështjelle me ajër, që era e ngriti në ajër në Australi. Incidenti ndodhi në oborrin e një shkolle fillore në Devonport, në ishullin e Tasmanisë.

Policia tha se fëmijët kanë rënë nga lartësia prej dhjetë metrash. Kryeministri Scott Morrison e përshkroi aksidentin si “zemërthyes në mënyrë të paimagjinueshme”, shkruan BBC

“Fëmijë të vegjël në një ditë zbavitjeje jashtë…dhe kthehet në tragjedi të tillë të tmerrshme. Në këtë periudhë të vitit, kjo thjesht ta thyen zemrën”, tha shefi i qeverisë australiane.

Ekipet emergjente ua dhanë fëmijëve ndihmën e parë para se t’i transportonin me helikopterë në spital. Katër fëmijë fillimisht u shpallën të vdekur dhe një tjetër vdiq më vonë në spital.

Për incidentin, që ndodhi në ditën e fundit të vitit shkollor për këta fëmijë, u njoftuan menjëherë prindërit e tyre.

Ky nuk është incidenti i parë fatal në botë me kështjella nga ajri. Në vitin 2019, dy fëmijë kishin vdekur dhe 20 të tjerë ishin lënduar në një aksident të ngjashëm në Kinë.

Në vitin 2018, një vajzë kishte vdekur në Britaninë e Madhe, pasi ishte hedhur nga një lodër me ajër, për të cilën dëshmitarët thanë se shpërtheu në plazh në Norfolk.

(Kosova Sot Online)