Reporterët pa Kufij: 46 gazetarë janë vrarë dhe 488 janë burgosur gjatë vitit 2021

  • E.K /
  • 16 December 2021 - 13:01
Reporterët pa Kufij: 46 gazetarë janë vrarë dhe 488 janë burgosur gjatë vitit 2021

Sipas një raporti të Reporterëve pa Kufij, 488 gazetarë janë burgosur gjatë këtij viti ndërsa 46 janë vrarë.

Rritja prej 20% në një vit është kryesisht për shkak të tre vendeve, Mianmarit, Bjellorusisë dhe Kinës, ku ligji i sigurisë kombëtare ka shkaktuar një rritje masive të gazetarëve të burgosur.

Gjithashtu “asnjëherë më parë RSF nuk ka regjistruar një numër kaq të madh grash” në mesin e gazetarëve të burgosur- 60.

Megjithëse burrat vazhdojnë të përbëjnë shumicën dërrmuese të gazetarëve të burgosur në mbarë botën (87.7%), më shumë gra (17) janë burgosur në Bjellorusi sesa burra (15). Në Mianmar ku ushtria mori pushtetin në një grusht shteti, numri i gazetarëve është rritur në 53, nga dy një vit më parë, shkruan abcnews.al

Pesë vendet ku janë burgosur më shumë gazetarë janë: Kina (127), Mianmari (53), Vietnami (43), Bjellorusia (32) dhe Arabia Saudite (31).

Megjithatë, numri i gazetarëve dhe profesionistëve të medias të vrarë – 46 persona është më i ulëti që është regjistruar në 20 vite, thekson organizata.

Shumica e vdekjeve ishin vrasje të synuara: “65% e viktimave u shënjestruan dhe u vranë qëllimisht.

Vendet më të rrezikshme

Meksika dhe Afganistani mbetën dy vendet më të rrezikshme në botë për gazetarët, me 7 dhe 6 viktima respektivisht. Në këtë listë, në vendin e tretë është Jemeni dhe India, me nga 4 të vrarë.

Gjithashtu 65 gazetarë dhe bashkëpunëtorë të medias mbahen peng.

(Kosova Sot Online)