Britania nuk do të dërgojë ushtarë

  • A.P /
  • 19 December 2021 - 12:40
Britania nuk do të dërgojë ushtarë

Britania dhe aleatët e saj kanë “shumë pak gjasa” të dërgojnë trupa për të mbrojtur Ukrainën. Kështu ka thënë sekretari i mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar.

“Ne nuk duhet të bëjmë shaka me njerëzit,” tha Ben Wallace për revistën Spectator. “Ukrainasit janë të vetëdijshëm për këtë”, raporton BBC.

Rusia ka zhvendosur mijëra trupa pranë kufijve lindorë të Ukrainës, duke bërë që fuqitë perëndimore të nxisin presidentin Vladimir Putin që të zvogëlojë tensionet.

Moska ka mohuar planet për të sulmuar dhe ka kërkuar bisedime urgjente me SHBA’në.

Të premten, Rusia kërkoi kufizime të rrepta për aktivitetet e aleancës ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA në vendet në Evropën Lindore.

Aleanca fillimisht u krijua për të mbrojtur Evropën kundër kërcënimeve të mundshme nga ish-Bashkimi Sovjetik.

Në një intervistë me Spectator , Wallace tha se Ukraina “nuk ishte anëtare e NATO-s, kështu që ka shumë pak gjasa që dikush do të dërgojë trupa në Ukrainë për të sfiduar Rusinë”.

“Kjo është arsyeja pse ne po bëjmë më të mirën diplomatike për t’i thënë Putinit mos e bëj këtë”, tha ai, duke shtuar se “sanksionet e rënda ekonomike” ishin forma më e mundshme e parandalimit.

Wallace ka thënë më parë se Mbretëria e Bashkuar qëndron “sup më sup me popullin e Ukrainës” dhe mbetet e vendosur t’i mbështesë ata.

Në fillim të kësaj jave, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson e paralajmëroi Putinin për “pasoja të rëndësishme” të çdo “veprimi destabilizues” në rajon.

Ukraina ndan kufij me BE-në dhe Rusinë, por si një ish-republikë sovjetike ajo ka lidhje të thella sociale dhe kulturore me Rusinë.

Kremlini ka akuzuar Ukrainën për provokim me ambicien e saj për t’u bashkuar me NATO-n.

Bombarduesit e rëndë dhe anijet luftarake nuk do të lejohen në zona jashtë hapësirës ajrore të tyre kombëtare ose ujërave nga të cilat ata mund të nisin një sulm si pjesë e propozimeve.

Kjo do të nënkuptonte se NATO nuk do të luante asnjë rol në asnjë nga tre republikat baltike ose Poloninë, si dhe do të duhej të braktiste çdo plan që Ukraina dhe Gjeorgjia t’i bashkohen përfundimisht aleancës perëndimore.

Zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Grushko tha të shtunën se propozimet ishin një përpjekje për të shmangur një konflikt të mundshëm ushtarak.

Ai tha se Moska ishte e gatshme të zhvillonte bisedime me SHBA-në në një përpjekje “për ta kthyer një skenar ushtarak ose ushtarak-teknik të konfrontimit në një proces politik që do të forcojë vërtet sigurinë ushtarake”, njoftoi agjencia ruse e lajmeve Interfax.

SHBA ka thënë se është e hapur për diskutime, por se do të vendosë gjithashtu shqetësimet e veta në tryezë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha gjithashtu të premten se nuk do të kishte “bisedime për sigurinë evropiane pa aleatët dhe partnerët tanë evropianë”.

Rusia i ka rezistuar prej kohësh lëvizjes së Ukrainës drejt institucioneve evropiane.

Ajo pushtoi Gjeorgjinë gjatë një lufte të shkurtër në vitin 2008 dhe pushtoi Krimenë nga Ukraina në vitin 2014, përpara se të mbështeste separatistët në Ukrainën lindore.

Konflikti në lindje filloi në prill 2014 dhe ka marrë më shumë se 14,000 jetë


(Kosova Sot Online)