Rusia thotë se është marrë vesh me ShBA-në, ja kur nisin bisedimet

  • G.G /
  • 22 December 2021 - 13:48
Rusia thotë se është marrë vesh me ShBA-në, ja kur nisin bisedimet

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të mërkurën se vendi i tij në fillim të vitit të ardhshëm do të hyjë në bisedime me negociatorët amerikanë për garancitë e sigurisë që i ka kërkuar nga Perëndimi.

“Është bërë marrëveshje që në fillim të vitit të ardhshëm, kontakti dypalësh mes negociatorëve amerikanë dhe tanëve do të bëhet rund i parë (i bisedimeve)”, tha kryediplomati rus.

Ai shtoi se Rusia u ka paraqitur zyrtarëve amerikanë një dokument në lidhje me raportet ShBA – Rusi dhe se ndihmësit për politikë të jashtme të presidentëve Joe Biden e Vladimir Putin janë pajtuar për punë të mëtejshme, shkruan Reuters.

Ndryshe, NATO-ja tha të martën se do të kërkojë diskutime kuptimplota me Moskën në fillim të vitit të ardhshëm për t’i adresuar tensionet. Këshilli NATO – Rusi ishte krijuar në vitin 2002 për t’i lehtësuar konsultimet mes aleancës ushtarake perëndimore e Moskës, por raportet mes tyre janë tensionuar dhe mbledhja e fundit e këtij këshilli është mbajtur në korrik të vitit 2019.

Perëndimi dhe Ukraina e kanë akuzuar Rusinë për planifikim të një sulmi të ri ndaj Ukrainës në janar të vitit të ardhshëm. Rusia e ka mohuar këtë, pavarësisht grumbullimit të dhjetëra mijëra trupave afër Ukrainës.

(Kosova Sot Online)