Osmani: Vuçiqi flet për bashkëpunim rajonal, në anën tjetër e vendos BIA-n për t’i marrë në pyetje qytetarët e Kosovës

  • E.K /
  • 23 December 2021 - 12:16
Osmani: Vuçiqi flet për bashkëpunim rajonal, në anën tjetër e vendos BIA-n për t’i marrë në pyetje qytetarët e Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se për Kosovën mbetet kyç Procesi i Berlinit sa i përket bashkëpunimit rajonal. Osmani tha se Open Balkan shkel parimin e gjithëpërfshirjes dhe barabarësisë.

“Kjo iniciativë që filloi në Novi Sad, që u quajt minishengen, në fakt ka shkelur dy parime, atë të gjithëpërfshirjes, sepse s’i përfshinte të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe atë të trajtimit të barabartë. Ne insistojmë që bashkëpunimi rajonal të vazhdojë në kornizën e Procesit të Berlinit, që udhëhiqet nga Gjermania e që ka për qëllim që shtetet tona t’i shtyjë drejt Bashkimit Evropian. Kosova ka bërë të qartë që alternativa e vetme është Procesi i Berlinit, ku ka vlejtur parimi i gjithëpërfshirjes dhe barabarësisë”, tha Osmani.

Shefja e shtetit u shpreh se, përderisa Serbia e udhëheq iniciativën “Open Balkan” dhe nuk e njeh Kosovën, s’mund të pritet që Vuçiqi të ketë qëllime të mira.

“Përderisa Serbia ka rol kyç në këtë iniciativë dhe nuk e njeh Kosovën, ne nuk mund të presim nga presidenti Vuçiq që ka qëllime të mira për Kosovën, sepse vetë militarizimi i Serbisë, që po ndodh, tregon se ka tendenca destabilizuese në rajon. Kur Serbia heq dorë nga tendenca destablizuese ndaj rajonit dhe në momentin që e njeh Kosovën, atëherë dikush mund ta marrë seriozisht deklaratën e Vuçiqit se i intereson bashkëpunimi rajonal. Në njërën anë flet për bashkëpunim rajonal, në anën tjetër i bllokon qytetarët tanë, vendos agjentë të BIA-s për t’i marrë ata në pyetje, i terrorizon qytetarët që e kalojnë kufirin dhe e bën pikërisht të kundërtën e asaj që e avokon në iniciativën “Open Balkan”, tha ajo.

(Kosova Sot Online)