Si erdhi deri te kriza energjetike dhe kur do të vijë gjermani i famshëm për ta rregulluar turbinën në KEK?

  • E.K /
  • 24 December 2021 - 08:07
Si erdhi deri te kriza energjetike dhe kur do të vijë gjermani i famshëm për ta rregulluar turbinën në KEK?

Krizës energjetike që ka përfshirë gjithë botën, si ka shpëtuar as Kosova. Pas dhjetë vjetësh janë kthyer reduktimet me energji elektrike. Konsumatorët në gjithë vendin po kanë çdo ditë reduktime për 2 orë, derisa në disa qytete po zgjasin edhe më shumë se aq. Por, si erdhi deri te kjo situatë?

Në një konferencë për media, Ministrja e Ekonomisë, Drejtori i KEK’ut dhe Kryeshefi i KOST’it, janë deklaruar për krizën energjetike në vend dhe kthimin e reduktimeve.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka folur për dy faktorët që kanë ndikuar në rritjen e çmimit të energjisë elektrike në Kosovë dhe rajon.

Ndër faktorin e parë që Rizvanolli ka përmendur, është rënia e bllokut dy. Ajo tha se si pasojë e rënies së këtij blloku, KEK-u nuk ka pasur mundësi të prodhojë më shumë rrymë.

“Sa më shumë që KEK-u mund të prodhojë energji, aq më pak ne si vend jemi të varur nga importi dhe çmimit e importit. Fatkeqësisht ne kemi një nivel më të ulët të prodhimit nga ana e KEK-ut për shkak të rënies së bllokut 2 i cili ende nuk është aktivizuar. Ky është një faktor”, ka thënë ajo.

Faktori i dytë i krizës energjetike, sipas ministres janë bursat ndërkombëtare dhe çmimet në këto bursa.

Ajo tha se kjo ka ndikuar që çmimi i energjisë elektrike të rriten çdo ditë.

“Bursat ndërkombëtare dhe çmimet në bursat ndërkombëtare janë faktori numër dy.  Këto janë duke shënuar çmime rekorde pasi që temperaturat janë ulur dukshëm dhe do të thotë është rritur kërkesa. Si rrjedhojë e kësaj, nga ana tjetër oferta, prodhimi i energjisë në Evropë nuk është rritur, por është ulur e veçanërisht ai i gazit. Kjo ka ndikuar që çdo ditë të shënohen çmime rekorde të energjisë elektrike”, ka thënë ajo.

Ministrja u deklarua edhe për bllokimin e linjës energjetike në mes të Kosovës dhe Serbisë. Sipas saj edhe kjo ka ndikuar që Kosova të ketë krizë energjetike.

“Është edhe një faktor që për vendin tonë ndikon specifikisht negativisht. Ky është fakti se Serbia ka bllokuar linjën energjetike në mes nesh. Kjo nuk është diçka e re. Por në situata krize siç është kjo e përkeqëson edhe më tej situatën. Duke qenë se Serbia e pamundëson alokimin e kapaciteteve interektive në kufi me Kosovën kjo shkarton ngarkesa edhe në rrjetet e vendeve fqinje si në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut. Jemi edhe më të kufizuar që të blejmë energji, shpesh duke mos pasur zgjidhje pos të blejmë me çmime të larta”, ka thënë Rizvanolli.

Si faktorë të katërt, ajo përmendi rritjen e konsumit të energjisë elektrike. Rizvanolli potencoi se ka rritje të konsumit të energjisë elektrike për 14%.

“Faktori i katër që ka ndikuar posaçërisht këtyre ditëve, është se konsumi i energjisë është më i larti që është regjistruar ndonjëherë ne vendin tonë. Nga viti i kaluar në të njëjtën kohë ne jemi duke konsumuar dukshëm më shumë. Konsumi është rritur për 14 për qind për dy ditë, nga 19 dhjetori deri më 21 dhjetor ”, ka thënë ajo. 

Ajo tha se Qeveria ka kërkuar nga operatorët që t’i mbajnë të informuar konsumatorët lidhur me planet e reduktimeve, si pasojë e krizës energjetike në Kosovë, shkruan Gazeta Express.

Në një konferencë për media, Rizvanolli ka kërkuar nga qytetarët mirëkuptim në këtë situatë të jashtëzakonshme, siç e ka quajtur ajo krizën me energji elektrike.

 “Si Qeveri kemi kërkuar nga operatorët që t’i mbajnë të informuar konsumatorët dhe të ju njoftojnë sa më herët që është e mundur për planet e reduktimeve që janë të planifikuara. Kërkojmë mirëkuptim nga konsumatorët për masat e ndërmarra dhe kërkojmë mbështetjen e secilit prej jush që ta tejkalojmë këtë situatë të jashtëzakonshme. Kërkesa më e madhe për energji është nga konsumatorët familjarë, pra një pjesë e zgjidhjes se krizës së efektit të krizës është në duart e secilit prej jush. Vetëm nëse ne punojmë së bashku do ta tejkalojmë këtë krizë”, tha ajo.

Rizvanolli është deklaruar edhe për ndarjen e 20 milionë eurove për të mbuluar koston e importit të energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Rizvanolli tha se ndarja e këtyre mjeteve është bërë me qëllim që qytetarët të mbrohen në rastin kur kriza energjetike thellohet.

 “Qeveria e Kosovës ka ndarë një shumë prej 20 milionë eurosh për të mbuluar vlerën e importit të energjisë, për të subvencionuar importin e energjisë për qytetarët, për konsumatorët e rregulluar është fjala. Përmes këtij veprimi, ne kemi mbrojtur qytetarët e Kosovës kur kriza është në pikën më të keqe”, ka thënë ajo.

Ministrja njoftoi se sot Qeveria ka marrë vendim që t’i kthejë dividendën prej 20 milionë euro KOSTT-it. Kjo sipas saj është bërë me qëllim  të ruajtjes së likuiditetit të ndërmarrjes dhe të sektorit.

“Ne mbledhjen e sotme ne kemi votuar për t’i kthyer KOSTT-it dividendën prej 20 milionë euro në mënyrë që të ruhet likuiditeti i ndërmarrjes dhe të ndihmohet likuiditeti i sektorit, vetëm për të mundësuar punimin e mirë të ndërmarrjes, pas kërkesës që është bërë nga KOSTT për Qeverinë e Kosovës për të rikthyer dividendë që është marrë gjatë rishikimit të buxhetit para disa muajsh”, deklaroi Rizvanolli.

Drejtori i KEK-ut: Njësia B2 e bllokut “Kosova B” s’pritet të kthehet në funksion para 20 janarit

Në këtë konferencë foli edhe Drejtori i KEK’ut, Nagip Krasniqi. Ai tha se njësia e dytë e bllokut Kosova B nuk pritet që të kthehet në funksion deri më 20 janar, raporton Gazeta Express.

“Kosova B2 vazhdon të jetë jashtë funksionit shkaku i prishjes nga data 14 dhjetor dhe jemi në proces që ta kthejmë sa më shpejt në operim mirëpo prishja në turbinë është e natyrës më serioze. Jemi në kontakt me kompaninë që e prodhon turbinën dhe presim që ta dërgojnë ekspertin e tyre dhe të dielën ai ekspert të jetë në KEK dhe do të fillojmë me inspektimin e situatës dhe ta shohim sa është gjendja e dëmtimeve dhe ajo do ta tregojë edhe kohën e për kthimin e njësisë në punë.Ekziston një vlerësim preliminar që ne presim që diku kah data 20 janar B2 të kthehet në operim”, ka thënë Krasniqi.

Ai tha se importi i rrymës është shumë i shtrenjë në këtë periudhë dhe janë duke e importuar atë me mjetet që ka ndarë qeveria.

“Sa i përket prodhimit të qymyrit nuk kemi problem. Ne jemi duke e bërë edhe importin e energjisë nga mjetet që i ka ndarë qeveria për subvencionimin e rrymës dhe duhet ta dijmë se ky import do të jetë goxha i shtrejt në këtë periudhë dhe nuk është e sigurt që mund të mbërrijmë të sigurojmë sasi të mjaftueshme edhe në kuptim të çmimit shumë të lartë por edhe të sasisë së ofruar në treg”, tha Krasniqi.

Kur do të vijë gjermani i famshëm për ta rregulluar turbinën në KEK?

Drejtori i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka thënë se eksperti gjerman që do të ndihmojë në rregullimin e turbinës në njësinë B2 të bllokut “Kosova B” do të vijë në Kosovë të dielën. Ardhjen e ekspertit gjerman e kishte paralajmëruar edhe kryeministri Albin Kurti para 7 ditësh kur kishte vizituar KEK-un, raporton Gazeta Express.

Krasniqi para gazetarëve tha se eksperti vjen nga kompania që e prodhon turbinën, prishje e cila është serioze.

 “Jemi në kontakt me kompaninë që e prodhon turbinën dhe presim që ta dërgojnë ekspertin e tyre dhe të dielën ai ekspert të jetë në KEK dhe do të fillojmë me inspektimin e situatës ta shohim sa është gjendja e dëmtimeve dhe ajo do ta tregojë edhe kohën për kthimin e njësisë në punë. Ekziston një vlerësim preliminar që ne presim që diku kah data 20 janar B2 të kthehet në operim”, ka thënë Krasniqi.

Kadriu i KOSTT për reduktimet: Plani ka qenë 8 me 2, por nëse ky plan s’mjafton reduktimet rriten

Për media u deklaruar edhe kryeshefi i ndërmarrjes publike KOSTT, Kadri Kadriu, i cili dha detaje në lidhje me realizimin e reduktimeve energjetike që nisën që nga dita e djeshme.

Ai tha se KOSTT i ka dërguar KEDS-it një program i cili, sipas tij, ka filluar dje rreth orës 10 duke thënë se meqë ishte dita e parë, mënyra e realizimit nuk ka qenë e thjeshtë.

 “Në lidhje me realizimin e shkyçjeve, ne kemi dërguar tek KEDS-i një program i cili ka filluar dje diku rreth orës 10 dhe meqë ka qenë dita e parë, mënyra e realizimit nuk ka qenë e thjeshtë sepse ai program ka qenë i shpërndarë në krejt Kosovën dhe në orën 11 ka filluar reduktimi”, është shprehur Kadriu.

Kadriu tha se plani ka qenë tetë me dy (tetë orë me rrymë, dy pa rrymë), ku tha se kanë reduktuar 150 MË, por shtoi se nëse ky plan (tetë me dy) nuk do të mjaftojë, reduktimet do të rritën.

“Plani ka qenë tetë me dy, që do të thotë se ne kemi reduktuar 150 MË, pra në qoftë se nevoja për reduktime rritet, ky plan tetë me dy nuk do të mjaftojë, por ne shpresojmë që nuk do të shkojmë deri në atë masë dhe natyrisht se mund të jetë edhe më i shkurtër programi”, është shprehur Kadriu.

Ndërsa, sa i përket mungesës së energjisë elektrike në disa pjesë të vendit me më shumë se dy orë, Kadriu tha se realizimin e programit e bën KEDS-i, por edhe mungesa, tha ai, se mund të jetë e lidhur me prishje teknike.

Realizimin e programit e bën KEDS-i, ne nuk e bëjmë, sepse s’kemi qasje tek konsumatorët, dhe mënyrën se si e kanë shpërndarë ata tek konsumatorët ata sigurisht është dashur ta ndjekin programin tonë. Por, ndoshta ka pasur ndalje më të shpeshta që ajo mund të jetë e lidhur edhe me prishje teknike./

(Kosova Sot Online)