Për politikën e çakorduar, askush nuk na ka faj!

Për politikën e çakorduar, askush nuk na ka faj!
Për politikën e çakorduar, askush nuk na ka faj!

Shefik Shkodra

  • 24 December 2021 - 07:55

Shkruan: ANALISTI - Shefik Shkodra

Nuk e di, kur një kohë, këto partitë në opozitë ktheheshin nga një dialog me rëndësi me Serbinë, thoshin: “Ia kemi bërë tetë me dy Serbisë!” Dikush që ka marrë vesh gjatë gjithë jetës dhe leximit të historisë nacionale shqiptare me fqinjët, u kemi thënë këtyre djelmoshave: ‘Ju nuk mund të qeshni dhe t’ia bëni tetë me dy Serbisë!’ Ju tregoni papjekuri. Serbia si gjithnjë, me aleatët e vet, ka punuar pa reshtur. Aleatët e tyre kanë lobuar sa për t’i demantuar fjalët e parullat e juaja me dozë të madhe euforie. Si fëmijë të fluturuar. Pastaj të ngazëllyer se, “do të duhej t’i jepet diçka Serbisë!” Ekspertët tanë politikë! Këta ekspertë ia sollën fikën Kosovës. Në njërën anë duke plaçkitur e në anën tjetër, duke proklamuar përditë e përnatë se, na duhet t’i japim diçka Serbisë. Pastaj, duke biseduar e kontaktuar në mënyrë klandestine me armikun, gjoja ne do ta përfundojmë çështjen shqiptare “një herë e përgjithmonë”, ne do të jemi në historinë bashkëkohore të këtij kombi, që “ia arritëm qëllimit...” e tjera andralla të këtyre plaçkatarëve.

U nënshkruan e s’u nënshkruan marrëveshje, kush i di, po tash sikur thuhet një fjalë popullore: “U ngushtua Bala për poroz...” Tash ia kemi lënë “kompirin e nxehtë në dorë Albin Kurtit me partinë e tij”, le t’i grahin ai nëse mundet. Isa Mustafa po thërret prej birucës se, gjithqysh duhet të zbatohet marrëveshja për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe! Ose duhen zgjedhje të reja! Hë! Pse nënshkrove ti zotëri këtë farë marrëveshje në dëm të Kosovës? Pse duhen zgjedhje të reja? Po ti “eksperti” i PDK-ës, Enver Hoxhaj, pse ti shpreh tash dyshimin në Albin Kurtin, se, mund t’ia japë Serbisë Veriun e Kosovës? Pse ti si kuadër i kësaj partie lejove që shefi yt, Hashim Thaçi, të nënshkruaj këtë marrëveshje shumë të dëmshme, Asociacionin e Komunave Serbe (AKS)? Ku ishe ti në atë kohë? Edhe ti po kërkon zgjedhje të reja. Po. Problemi është që të vazhdohet me atë të shefit tënd, nënshkrimin dhe zbatimin e marrëveshjes për AKS, s’mund të shprehësh dyshim në A. Kurtin se, nuk jeni ju më atdhetar, më të guximshëm, më të dinjitetshëm, më të pa njolla, më të ditur në këto punë.

Keni lëshuar zagarë nëpër ato dritaret qorre dhe lehni ditë e natë me etiketa e me fjalë të faqeve të zeza. Me kërcënime e shantazhe, sikur ai t’i kishte nënshkruar marrëveshjet e dëmshme. Sikur ai dhe kompania e tij ta kishte vendosur ndarjen e Kosovës. Sikur ai dhe kompania e tij të kishin plaçkitur për njëzet vjet. Këtu është faji i A. Kurtit?! Hë! Askund e asgjë nuk bëni ju. Ju jeni egoista e për çështje të juaj private, jo për shtetin e Kosovës. E keni humbur besimin. Ju jeni provuar shumë keq në këto punë të shtetit të ri të Kosovës. Mos dilni para njerëzve e qytetarëve që të mos ua shohin fytyrat...Si e ktheni besimin në popull, kur çdo gjë shtetërore e keni varrosur.

Çfarë deputetësh – Kuvendi i Kosovës

Të vjen turp t’i dëgjosh. Këta të gjithë që reagojnë, veç kundër, duket se u përzihen zorrët në bark. Janë vetëm të zgjedhurit e partive dhe deputetë të popullit. Janë një pjesë e madhe shumë injorantë, sa me konkurs po t’i kishe kërkuar vështirë do të ishte t’i qëllosh si të tillë. Kur njeriu nuk ka turp, nuk lë gjë pa bërë edhe më të keqën. Po si i thotë ky Ramushi në Kuvend: “Ti a je me Serbinë...?” po a është fjalë kjo?! Po çfarë rrapllon ajo deputetja e mjerë, çfarë zori e ka kapluar që t’i shajnë e ofendojnë të tjerët? Po kush mund ta durojë këtë sikur edhe prej qielli të kishte pikë?! Po pse nuk shkojnë disa në ato pensione me ato paga të majme e të jetojnë dhe të mos na marrin nëpër këmbë punën që duhet të bëhet me rëndësi.

Po ky ahmaku, Driton Selmanaj, sikur mos të fliste shumë djalë i mirë është, po përzien pallavra. “Më mirë punoj kamerier, se sa të bëhem pjesë e LVV”, nëse vërtet ke thënë kështu unë ta pranoj. Shumë me vend e ke. Ti dhe disa të tjerë nuk jeni për më tepër. Madje zanati i kamerierit është bukur me rëndësi. Qartë as që jeni për politikë, ani si “kuadër” demek me shtërzime e trimëri zëri nëpër dritaret mercenare, sikur do të thoshte diçka të mirë e të urtë për unitetin përballë armikut në kohën që po kalojmë...

Ballkani i hapur – s’është mirë Edi Rama

Edi, a e di ti si e ke përzier kazanin e stërkeqjeve politike në këto kohë me këtë “Ballkani i hapur”? Nuk ia merr mendja njeriut të shëndosh mentalisht, se ky veprim praktik është i favorshëm edhe për shqiptarët. Se e ka iniciuar dhe themeluar serbi, Vuçiq, dhe Rama po përpiqet t’i japë shpirt kësaj fantazme. Po ky i fundit shumë kategorik, që kjo punë të marrë përmasa. Që të shkoj tym e mjegull. Që ta kaplojë krejt Ballkanin, se pjesët e banuara me shqiptarë po se po – stuhi e shtrëngatë. Ky tipi, kryeministër i Shqipërisë a i krejt shqiptarëve?! Nuk mund të besosh se, ky është me mend në krye, i shëndoshë psiqikisht, i pa droguar, esëll – jo! Ose, ky njeriu nuk di asgjë çfarë mund të jetë e ardhmja e shqiptarëve në këto troje.

I kemi shkruar një herë në mënyrë kronologjike dhe ia kemi tërhequr vërejtjen historike për këta “vëllazërinë” në Beograd. Po, jo ky i gjithëdijshmi, e “patrioti” i gjithë shqiptarëve s’merr vesh. Kokën si llamarina. Si roboti. Kështu i kemi edhe këta shefat e partive në Kosovë. Secili ngrihet në këmbë dhe thotë diçka si më i “mençuri” e që nuk kanë asgjë reale në atë politikën që e bëjnë kokë në veti, gjithnjë duke injoruar krahun tjetër, se nuk janë me “ekspertët” e kësaj dinamike dhe të vlugut të përzierjeve të vorbujve. Këtë e dëshirojnë krijuesit e pështjellimeve në Beograd dhe aleatët e tyre. Edi Rama thotë, kur e kërkova Kosovën e pavarur në Beograd, më quajtët patriot, tash më quani tradhtar. Jo. Kanë qenë rezervë disa për këtë parullë tënde edhe atëherë, kur ti ke thënë për Kosovën e pavarur në Beograd.

Ka qenë një marrëveshje me Vuçiqët...po këtë farë euforie për çka do qoftë e bën populli se, kjo është një parullë populiste! Madje shumë e dyshimtë! Megjithatë, s’ka rëndësi se çka është thënë publikisht, më e qenësishmja është: a je mirë ti me shëndetin tënd? Nuk e di kush...ose je i paguar shumë e po doni ti dhe A. Vuçiqi ta mashtroni popullin dhe të tjerët, se gjëja ju jeni novatorët e parë e praktik në politikën e Ballkanit Perëndimor. Hë! Do t’i gëzohet dikush kësaj rregullative?! Serbinë e bëre shef në regjion.

Politika serbe këtë e kërkon. Nuk i intereson fare as BKS, sepse tash është mbi të gjithë në Ballkan. Sidomos mbi tokat shqiptare. Ti Edi Rama i ke shkelë pjesët e banuara me shqiptarë kudo, Kosovën si shtet, Iliridë, Preshevë-Bujanoc-Medvegjë, edhe ata të M. Zi, por e ke shkelur edhe Shqipërinë në tërësi. Sepse, politika e Serbisë ka instruksione tjera, prej asaj që mendojnë disa tregtarë të mjerë si ti. Ndoshta ti e di mirë, se, ecja me bllokun serbian në Lindje, kundër Perëndimit. Shqiptarët do të duhej të shqetësohen me veprimet e E. Ramës si kryeministër i sotshëm.

Unë nuk po të them tradhtar as nuk po dëshiroj që të kualifikoj si të tillë, nuk dëshiroj as të ndërrojë nga posti, sepse, unë mendoj, që cilido që të marrë udhëheqje në trojet shqiptare, duhet të jetë i pathyeshëm në parimet kombëtare, në mënyrë që të shpëtojë qenien kombëtare shqiptare. Unë nuk po dëshiroj që t’i burgosë e t’i asgjësojë as ata që kanë gabuar në Kosovë politikisht e materialisht, por dua që të jenë njerëz me karakter të fortë, parime për rezistencë politike kombëtare edhe ata që do të zgjidhen vetëm me një fytyrë, kurdoherë përballë agjenturave të jashtme. Përballë kërcënimeve e shantazheve që u bëhen në tryeza pazaresh për tokat shqiptare.

Unë nuk dua t’ia nënçmojë punën apo veprën luftarake askujt e as njerëzve tanë. Përkundrazi, më gëzojnë veprimtaritë kolosale në luftën e fundit, por jo të nëpërkëmbët prej disave. Por jo, në emër të kësaj apo asaj merite të keqpërdoret integriteti dhe sovraniteti, sepse për atë kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën njerëzit tanë. Për këtë nuk duhet të falet askush në rrugët e gabuara me armikun. Është rregull. Është garanci e popullit. Është parim esencial çdo kund në botën e civilizuar që të mbrohet sovraniteti dhe integriteti territorial. Sot për sot kështu duhet të ecet. Nesër në politikën globale nëse tjetër këndohet, do të shihet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".