Vërshojnë kërkesat për të blerë agregatë, disa edhe po i riparojnë të vjetrit

  • E.K /
  • 25 December 2021 - 10:02
Vërshojnë kërkesat për të blerë agregatë, disa edhe po i riparojnë të vjetrit

Tash e sa ditë Kosova po përballet me reduktime të energjisë elektrike, si pasojë e krizës energjetike.

E me këto reduktimeve po dëmtohet ekonomia në vend, të cilat thonë se dëmi i shkaktuar nga energjia është shumë i madh. Dëmet po shkaktohen edhe në gastronomi dhe në ekonomitë familjare, teksa këto të fundit, detyrohen të blejnë gjenerator, si pasojë e ndërprerjes së energjisë.

Pronari i kompanisë “Meka”, Burim Piraj, tha se mungesa e energjisë elektrike sjell probleme të mëdha, duke thënë se pajisjet moderne nuk mund të punojnë me çfarëdo energji elektrike, teksa shton se tensioni i ulët i energjisë elektrike paraqet probleme të mëdha.

“Kemi shumë ndërprerje dhe nuk është në rregull që institucionet tona neve si zona rurale të na fusin me ndërprerje shumë më të gjata se sa ato urbane. Për këtë arsye edhe popullata po shpërngulet. Paramendoni sikur ne, për shkak të këtyre presioneve që i kemi drejtpërdrejtë nga moskujdesi i institucioneve tona, sikur edhe ne të shpërngulemi në zonën urbane. Nuk mund të ekzistohet me gjenerator, ka harxhime jashtëzakonisht shumë të mëdha. Ka rritje të çmimeve në lëndën e parë, ka rritje të çmimeve në transport”, thotë Piraj.

Ai tha se gjeneratorët harxhojnë diku afro 500 euro në ditë e se kjo është e papërballueshme. Dëme i kanë shkaktuar edhe KEDS-i, për të cilët thotë se procedurat e vonuara nëpër Gjykata, e kanë detyruar të heq dorë nga ndjekjet penale.

“Paramendoni sikur “Meka” të tërhiqet prej qytetit të Sharrit, të Dragashit, çka do të ndodh në atë vend?. Kemi pasur dëmtime prej mijëra e mijëra euro, për shkak të procedurave të tilla juridike të cilat janë të tejzgjatura në Kosovë ne kemi hequr dorë nga ndjekja e detyrimeve të KEDS, apo nga padia ndaj KEDS”, u shpreh ai

Pirraj tha se për shkak se është zonë rurale edhe kur nuk ka probleme në pjesët tjera të Kosovës, ata përballen shpesh me reduktime të energjisë elektrike.

“Kemi pas takime disa herë me KEDS-in, kemi pasur takime të ndërmjetësuara nga institucionet komunale nga deputetë të ndryshëm. Duda Bajle ka qenë një prej atyre që na kanë organizuar takime me zyrtarët e KEDS dhe të KESKO. Fatkeqësisht e njëjta është përsëritur dhe po vazhdon të përsëritet edhe po kemi probleme të mëdha”, thotë ai.

(Kosova Sot Online)