
Prania e variantin Omicron në Kosovë, nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë kur do të ashpërsohen masat

Ministria e Shëndetësisë nuk do të ashpërsoj masat Anti-COVID edhe pse varianti Omicron i COVID-19 i cili është më i transmetueshëm se variantet tjera, është identifikuar në Kosovë. 9 raste të infektuara me COVID, pas testimeve të kryera kanë dal pozitiv me variantin Omicron. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se aktualisht po zbatohen masat të cilat janë në fuqi dhe se ende nuk kanë marrë ndonjë rekomandim për ashpërsimin e tyre.
Ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë asnjë rekomandim për ashpërsimin e masave Anti-COVID edhe pas identifikimit të 9 rasteve të infektuara me variantin e ri Omicron të COVID-19 në vend.
Zëdhënës për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë kanë bërë të ditur se Komisioni këshillëdhënës lidhur me pandeminë COVID-19 u jep rekomandime lidhur me masat kundër COVID-19, bazuar në situatën epidemiologjike të IKSHPK-së në vend, ecurisë së pandemisë në vendet e tjera, dinamizimin e situatës epidemiologjike dhe rekomandimet që jepen edhe nga mekanizmat si OBSH e ECDC.
Sipas tyre, duhet të respektohen masat të cilat janë në fuqi si dhe të vazhdojë vaksinimi i plotë.
“Aktualisht janë në fuqi një seri masash të cilat duhet të zbatohen për përpikëri dhe të vazhdojë vaksinimi i plotë, ndërsa Komisioni jep rekomandime nëse masat në fuqi janë të mjaftueshme, apo duhet ndryshuar diçka, qoftë në drejtim të shtrëngimit të tyre apo lirimit të tyre. Pra çdo ndryshim i masave është i lidhur me zbatimin e tyre dhe vaksinimin”, kanë treguar ata.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë të ditur dje se nga testimi i 22 mostrave të periudhës kohore 15-25 dhjetor 2021, 9 prej tyre kanë rezultuar pozitive me variantin e ri.
Nga hulumtimi epidemiologjik, ka rezultuar se nga këto raste:
· 2 raste janë të importuara nga SHBA-të,
· 2 raste janë të importuara nga Londra, Mbretëria e Bashkuar,
· 1 rast është i importuar nga Franca; dhe
· 4 raste me variantin Omicron të detektuar janë në komunën e Mitrovicës, të cilët mohojnë historine e udhëtimit dhe se kanë pasur kontakte me dikë nga jashtë.
(Kosova Sot Online)