Si në filma: Sulmuesi në ShBA vret katër persona e plagos tre para se të vritet

  • G.G /
  • 28 December 2021 - 13:48
Si në filma: Sulmuesi në ShBA vret katër persona e plagos tre para se të vritet

Një sulmues ka qëlluar për vdekje katër persona e ka plagosur tre të tjerë, përfshirë një polic, në Denver të Shteteve të Bashkuara të hënën në mbrëmje. Sulmi u zhvillua në disa lokacione dhe përfundoi me vrasjen e sulmuesit të dyshuar nga policia.

Hetuesit ende nuk e kanë përcaktuar motivin për sulmin që filloi rreth orës 17, kur një person i armatosur qëlloi dhe vrau dy gra dhe plagosi një burrë afër qendrës së qytetit Denver, tha komandanti policor, Paul Pazen.

I dyshuari më pas u arratis me një veturë dhe qëlloi për vdekje një burrë në lagjen lindore të Denverit, Cheesman Park, para se të hapte zjarr përsëri në perëndim të qytetit, ku një person u qëllua, tha komandanti policor. Sipas tij, i dyshuari dy herë shkëmbeu të shtëna me policët që po e ndiqnin, duke e bërë të palëvizshme një veturë të policisë.

Nga ai vend, sulmuesi shkoi me veturë në qytetin fqinj, Lakewood, ku e qëlloi dhe e vrau personin e katërt brenda një biznesi, sipas zëdhënësit të policisë, John Romero, shkruan Reuters.

I armatosuri iku nga qyteti Lakewood, kur policia u përpoq ta ndalte, dhe u përfshi në luftime me policinë para se të ikte në këmbë dhe të futej në një hotel, ku plagosi një punëtor, tha Romero.

Ai më pas i qëlloi përsëri policët, duke plagosur njërin prej tyre, para se të vritej nga policia. Autoritetet nuk e kanë publikuar identitetin e tij dhe thanë se rrethanat e sulmit janë duke u hetuar.

(Kosova Sot Online)