Shtatë persona u lënduan nga mjetet piroteknike dhe një nga plumbi qorr në natën e ndërrimit të moteve

  • E.K /
  • 01 January 2022 - 09:26
 Shtatë persona u lënduan nga mjetet piroteknike dhe një nga plumbi qorr në natën e ndërrimit të moteve

Si kaloi nata e ndërrimit të moteve në Kosovë?

Shtatë persona kanë mbetur të lënduar nga mjetet piroteknike dhe një tjetër nga plumbi qorr në natën e ndërrimit të moteve.

Për këtë ka njoftuar mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, Agron Çitaku.

Sipas Çitakut, tre prej të lënduarve janë duke u trajtuar në Klinikë, ndërsa të tjerët janë liruar në shtëpi.

“Deri në këto momente të fillimit të Vitit të Ri, nuk kemi një fluks sikur që kemi pasur viteve të mëhershme, është një numër më i vogël. Megjithatë janë prezente këto raste, kemi diku shtatë raste të lënduar me mjete piroteknike dhe një të plagosur nga plumbi qorr. Gjendja e tyre, pjesa dërmuese janë në shtëpi, tre jemi duke i trajtuar. I lënduari nga plumbi qorr, është në regjionin e krahut”, ka deklaruar Çitaku.

Autoritetet në vazhdimësi kanë bërë thirrje për kujdes në festë me fishekzjarrë.

Foshnja e parë në vitin 2022 është djalë

Lindja e parë për këtë vit në vend u regjistrua në orën 00:01 në Klinikën e Gjinekologjisë të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës.

Foshnja e parë për vitin 2022 është e gjinisë mashkullore. Nëna është nga Prishtina dhe ky është fëmija i parë i saj.

Këtë lajm e ka bërë të ditur Drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili.

(Kosova Sot Online)