Trysnia e opinionit publik po e detyron drejtësinë e kapur nga mafio-politika që të shkëputet, të vepron kundër krimit

Trysnia e opinionit publik po e detyron drejtësinë e kapur nga mafio-politika që të shkëputet, të vepron kundër krimit

Hajrullah Tërnava

  • 01 January 2022 - 09:15

Shkruan: ANALISTI - Hajrullah Tërnava

Falë opinioneve të popullatës dhe presioneve që i bëjnë opinioni publik kur i vërejnë mangësitë e zbatimit të ligjeve dhe akteve tjera ligjore , e sidomos që për këto reagime motivohen edhe nga shumë qytetar që janë të shkolluar në diasporë në tërë botën dhe tani i përcjellin rrjedhat dhe zhvillimet në Kosovë, në vendlindje të tyre dhe të familjarëve, po duket që sistemi i drejtësisë dhe sundimi i ligjit kanë filluar të veprojnë dhe të përballen seriozisht me grupet e ndryshme apo individ që kanë të kaluar kriminale. Prandaj deri sa të kemi reagime të tilla do të kemi shpresa për të filluar dhe ndikuar presioni i opinionit publik, i shoqërisë civile por edhe ndryshimi në qeverisjen, akoma më shumë në shkëputjen e Sistemit të Drejtësisë nga politika e inkriminuar uzurpatore sistemit të drejtësisë, që më në fund të fillojmë të kemi një drejtësi vepruese dhe ndëshkuese reale të krimit, të dëshmuar me prova të pa kontestueshme bindëse dhe materiale.

-Gjithsesi se janë disa nga rastet e këtij viti të atakuara nga institucionet drejtësisë me veprime më të shpejta, si vjedhja spektakulare e me vlerë rreth 2.1 milionë eurove që ishin arkës së shtetit, pastaj super skandali i aferës së abuzimit me subvencionet në Ministrinë e Bujqësisë, aksionet antikrim në veri të Kosovës dhe më gjerë që janë në vazhdim e sipër, por edhe vendimi i fundit të konfirmimit të aktakuzës ndaj ish ministres Hoxha dhe zyrtarëve tjerë, tregues se me fillimin e projektit për Reformën e thellë në sistemin e drejtësisë dhe pritjen e miratimit të Ligjit Vetting, drejtësia ka filluar të kthjellet dhe të shkëputët ngadalë dhe me mjaft vështirësi, por detyrueshëm nga lidhjet me krimin dhe krimo politikën.

Javën që mbeti pas e ka konfirmuar aktakuzën ndaj ish ministres së integrimeve Dhurata Hoxha dhe zyrtarëve tjerë, pasi që Departamenti Special i Gjykatës së Apelit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore, ka konstatuar se duhet që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të pandehurve ndërsa është vërtetuar aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, PS.nr.31/2021 të datës 12.10.2021. si i drejtë, i dëshmuar dhe argumentuar nga ana e Prokurorisë.

Të pandehurit Dhurata Hoxha, Fitim Mustafa, Demush Shasha dhe Nuhi Osmani veç e veç akuzohen për shkak të veprës penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414, paragrafi 2. lidhur me nenin 71, paragraf 1. të KPRK. Dhurata Hoxha akuzohet se gjatë kohës sa ishte ministre i kishte tejkaluar kompetencat e saj në momentin kur kishte iniciuar procedurën e prokurimit dhe kishte përcaktuar se cila procedurë e prokurimit duhej të aplikohej madje edhe kishte përcaktuar emrin e kompanisë fituese për zbatimin e kontratës. Hoxha akuzohet se këto veprime i kishte ndërmarrë në vazhdimësi pasi me kërkesë të saj ishin vazhduar kontratat me kompaninë franceze, e të cilat buxhetit të Kosovës i kishin kushtuar qindra mijëra euro, madje në funksion të lobimit për çështje që shkojnë në dëm të shtetit të Kosovës, ndryshimit territorial.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare akuzohet edhe drejtori i prokurimit, Fitim Mustafa. Prokuroria pretendon se Mustafa i kishte keqpërdorë detyrat e tij në momentin kur kishte kërkuar nga sekretarët e Ministrisë që ta zbatonin kërkesën e ministres Dhurata Hoxha për lidhjen dhe vazhdimin e kontratës me kompaninë franceze. E njëjta vepër rëndon edhe mbi tre ish-sekretarët e Ministrisë së Integrimeve. Demush Shasha akuzohet se i kishte mundësuar përftim kompanisë franceze në momentin kur e kishte aprovuar kërkesën e drejtorit Fitim Mustafa dhe kishte lejuar zbatimin e procedurës së prokurimit edhe pse ka qenë në dijeni se kërkesa ishte në kundërshtim me ligjin dhe se ministrja nuk ishte personi kompetent për ta iniciuar procedurën, për të përcaktuar se si do të zhvillohej procedura e prokurimit dhe as të përcaktonte kompaninë fituese.

Sipas aktakuzës këtë aktivitet Shasha fillimisht e kishte pezulluar më 23 qershor 2018 ndërsa më pas e kishte lejuar që të vazhdonte. Sikurse ish-sekretari Demush Shasha akuzohen edhe dy sekretarët e MIE-së. Kushtrim Cuka dhe Nuhi Osmani akuzohen se e kishin keqpërdorur detyrën e tyre pasi i kishin mundësuar përfitim kompanisë franceze me rastin e aprovimit të kërkesës së drejtorit të prokurimit edhe pse ishin në dijeni se kërkesa e tillë ishte iniciuar nga ministrja Hoxha, e cila nuk ishte personi kompetent që të inicionte dhe as të përcaktonte procedurën apo emrin e kompanisë fituese. Sipas dokumenteve të siguruara publikuara, kompania ishte e ngarkuar të formësojë një mendim evropian në favor të asaj që përshkruhet si “pozicioni i Kosovës” që mbështet “modifikimin territorial” si një mjet për të arritur një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Prokuroria Speciale pas një hetimi të plotë e detajuar ka konstatuar se kontratat në fjalë ishin në kundërshtim me ligjin. Madje në dosjen e Prokurorisë, përshkruhet se kompania në fjalë kishte marrë paratë edhe pse kishte raportuar për çështje që nuk kanë qenë relevante me kontratën e nënshkruar. Kontrata me kompaninë “Majorelle” kishte për qëllim promovimin e imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare ndërsa kompania në raportet e saj kishte shkruar për procesin zgjedhor në Kosovë dhe kishte raportuar edhe si ishte emëruar Richard Grenell, emisar i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Një prej pak rezultateve konkrete të marra në këmbim të 168,000 eurove ishte një raport pesë faqesh me një anglishte të dobët të cilën kjo kompani e kishte adresuar te Qëndrim Gashi, ambasadori i Kosovës në Francë.

Raporti është i datës 20 shtator 2019. Raporti thotë se: “Rihapja e diskutimeve për paqen është përqendruar shpejt në modifikimin e kufirit territorial dhe ka vënë në tavolinë debatin/tabunë për rishqyrtimin e mundshëm të hartës së Ballkanit…” Raporti i kompanisë e bën të qartë se ndryshimi i kufijve ishte agjenda që po ndiqej nga klienti i saj kosovar dhe se këto përpjekje po rezultonin të pasuksesshme. Me një luftim serioz të krimit në përgjithësi e sidomos të krimit të organizuar dhe korrupsionit, shpresat e funksionimit të ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës do të jetësohen, dhe me veprime të tilla do të ju kthehet edhe shpresa qytetarëve për të jetuar në Kosovë, e sidomos diaspora do të jetë më e motivuar për investime dhe hapje të vendeve të reja të punës në vendlindjen e tyre. Në këtë mënyrë edhe eksporti i prodhimeve të Kosovës do të shënon rritje e sipër, dhe bashkë me këtë edhe standardi i jetesës do të përmirësohet në vendin tonë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".