Presidenti i Kazakistanit e shkarkon nga posti i lartë ish-presidentin Nazarbayev

  • A.P /
  • 05 January 2022 - 15:45
Presidenti i Kazakistanit e shkarkon nga posti i lartë ish-presidentin Nazarbayev

Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, tha të mërkurën se e ka marrë vetë postin e Këshillit të Sigurisë nga ish-presidenti Nursultan Nazarbayev dhe premtoi se do të përgjigjet me ashpërsi maksimale ndaj protestave kundër rritjes së çmimit të karburanteve.

Në një fjalim të transmetuar në televizion, Tokayev tha se ai do ta marrë menjëherë udhëheqjen e Këshillit të Sigurisë, rol në të cilin ish-presidenti Nazarbayev vazhdonte të ushtronte ndikim të konsiderueshëm pas largimit të papritur nga posti i presidentit më 2019.

Presidenti nuk e përmendi Nazarbayev-in me emër. Ish-presidenti 81-vjeçar nuk është parë ose dëgjuar në publik që nga fillimi i protestave, të cilat bënë që Presidenti Tokayev të mërkurën ta pranonte dorëheqjen e qeverisë, shkruan Reuters.

Vendimi për ta larguar nga posti i rëndësishëm duket si lënie përfundimtare anash e figurës së Partisë Komuniste, i cili kishte qëndruar në pushtet për gati tri dekada pas pavarësimit të Kazakistanit, me rastin e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991.

Nuk është e qartë nëse ky vendim do t’i kënaqë protestuesit, disa prej të cilëve janë dëgjuar duke brohoritur “Plak, ik”, parullë tradicionale kundër Nazarbayev-it.

(Kosova Sot Online)