ShBA-ja dënon tre persona me burgim të përjetshëm për vrasjen e burrit me ngjyrë

  • S.A /
  • 08 January 2022 - 09:01
ShBA-ja dënon tre persona me burgim të përjetshëm për vrasjen e burrit me ngjyrë

Një gjykatës në Georgia të Shteteve të Bashkuara i ka dënuar me burgim të përjetshëm Travis McMichael-in, Gregory McMichael-in dhe Wiiliam Bryan-in për vrasjen e burrit me ngjyrë, Ahmaud Arbery, të cilin e kishin ndjekur dhe e kishin vrarë në lagjen e tyre në shkurt të vitit 2020.

Sipas ligjeve në Georgia, vrasja duhet të dënohet me burgim të përjetshëm, nëse prokurorët nuk kërkojnë dënim me vdekje. Familja e të vrarit kishte kërkuar nga gjykatësi i rastit që të mos shfaqte butësi ndaj të akuzuarit në vendim.

Para dhënies së dënimit, gjykatësi tha: “Ahmaud Arbery u ndod dhe u qëllua dhe ai u vra, sepse individët këtu, në sallën e gjykatës, e morën ligjin në duart e veta”, shkruan The Guardian.

Gjykatësi shtoi se Arbery kishte dalë nga shtëpia për të vrapuar dhe përfundoi duke ikur për ta shpëtuar jetën e vet për pesë minuta përderisa tre burrat po e ndiqnin me vetura. Gjatë përshkrimit, gjykatësi pushoi për një çast për ta përçuar ndjesinë se si i është dukur kjo ndjekje viktimës.

Dy të dënuarit e parë do ta kalojnë pjesën e mbetur të jetës në burg, ndërsa Bryan ka të drejtë që të kërkojë lehtësim të dënimit vetëm pas 30 vjetëve, që është dënimi më i ulët që i është lejuar.

(Kosova Sot Online )