Miftaraj: Marrëveshja finale Kosovë-Serbi do të jetë prioritet i ambasadorit të ri amerikan

  • E.K /
  • 11 January 2022 - 14:35
Miftaraj: Marrëveshja finale Kosovë-Serbi do të jetë prioritet i ambasadorit të ri amerikan

Drejtori ekzekutiv në organizatën Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) Ehat Miftaraj, ka folur për emërimin e ambasadorit amerikan në Kosovë, duke theksuar se është njeri me përvojë të gjatë në rajon.

Tutje, Miftaraj tha se presidenti amerikan Joe Biden në kuadër të politikës së tij të jashtme e ka për synim arritjen e marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Por ai thotë se prioritet e Jeff Hovenier do të jenë edhe sundimi i ligjit e zhvillimi ekonomik.

“E para është lajm i mirë që ShBA-ja kanë emëruar për ambasadorë një person i cili ka një përvojë të gjatë në rajon dhe ka informata të dorës së parë lidhur me fillet në kohën kur është shpallur pavarësia e Kosovës”.

“Ka qenë aktor në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtar në Vjenë kështu që e ka një vazhdimësi të asaj se ku ka qenë Kosova dhe ku është edhe sot. Në anën tjetër është fakt që presidenti Biden në kuadër të politikës së tij të jashtme hynë në zgjedhje përfundimtare jo vetëm sa i përket statusit të Kosovës marrëveshjen finale me Serbinë, por një konsolidim të rajonit ku hynë edhe Bosnja Hercegovina”, ka deklaruar Miftaraj për EkonomiaOnline.

“Me vetë faktin që administrata Biden ka emëruar pozitat e ambasadorëve në vendet kyçe personat të cilët kanë një trashëgimi lidhur me atë se çfarë ka ndodhur në rajonin e Ballkanin Perëndimor së paku nga viti 2002 e këndej”.

“…sigurisht që është një lajm i mirë që këta ambasadorë do ta kenë prioritet në radhë të parë marrëveshjen finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke mos harruar asnjëherë fushat që janë të rëndësishme për Kosovën ku ambasadori përmendi sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik i Kosovës”, tha Miftaraj.

Hovenier u emërua në këtë post nga presidenti Joe Biden në korrik 2021 dhe u konfirmua unanimisht nga Senati i ShBA-së më 18 nëntor.

Pjesa më e madhe e karrierës së tij është fokusuar në çështje të sigurisë në Evropë dhe Euroazi.

Përpara se të emërohej në rolin e tij të ri si ambasador, Hovenier shërbeu si zëvendësshef i misionit në Ambasadën e ShBA-së në Ankara. Përveç Kosovës dhe Turqisë, Hovenier ka shërbyer edhe në Gjermani, Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai, Peru, Serbi dhe Mal të Zi.

(Kosova Sot Online)