Vrasja në Pakashticë dyshohet se u krye nga pakujdesia gjatë gjuetisë, Prokuroria jep detaje

  • E.K /
  • 13 January 2022 - 10:11
Vrasja në Pakashticë dyshohet se u krye nga pakujdesia gjatë gjuetisë, Prokuroria jep detaje

Vrasja që ndodhi mbrëmë në fshatin Pakashticë të Komunës së Podujevës dyshohet të ketë ndodhur nga pakujdesia. Sipas raportimeve, viktima dhe i dyshuari për vrasje ishin baxhanakë mes vete.

Për këtë rast tashmë ka nisur hetimet edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës.

Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj i ka thënë se personi i arrestuar po dyshohet për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pautorizuar të armëve”.

Ulaj ka thënë se trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

“Lidhur me këtë rast ju njoftojmë se me urdhër të prokurores nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është ndaluar një person i dyshuar për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Me urdhër të prokurores viktima është dërguar për obduksion, derisa janë duke u ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë çështje””, ka thënë Ulaj.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se për tërheqjen e trupit të viktimës kanë asistuar edhe nga FSK’ja, shkaku i terrenit të papaërshtatshëm.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë gjuetisë dyshohet se nga pakujdesia ka qëlluar me armë zjarri viktimën mashkull kosovar. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë  njësitet relevante policore, prokurori i shtetit si dhe për shkak të terrenit të papërshtatshëm, kanë asistuar edhe FSK-ja për tërheqjen e trupit të pajetë. Trupi i pajetë,  më pas është marrë nga mjekësia ligjore për obduksion . Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.

Rastin e ka konfirmuar mbrëmë zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

Ahmeti ka bërë me dije se në vendngjarje janë sekuestruar dy armë të gjuetisë.

“Sot rreth orës 16:00, kemi pranuar informatën për një rast të vrasjes që ka ndodhur në fshatin Pakashticë të Podujevës.  Lidhur me këtë rast në vendngjarje, policia ka arrestuar një person të dyshuar:  F.B mashkull 34 vjeç/ Në vendngjarje  janë sekuestruar , dy  armë e gjuetisë. Viktimë në këtë rast është M.K (mashkull), 30 vjeç, vdekjen e të cilit e  ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se hetuesit policor janë duke punuar në koordinim me prokurorin për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin.

(Kosova Sot Online)