Shtetet e QUINT’it i kërkojnë Kurtit t’i lejojë serbët e Kosovës të votojnë në referendum sikur në të kaluarën

  • E.K /
  • 14 January 2022 - 10:12
Shtetet e QUINT’it i kërkojnë Kurtit t’i lejojë serbët e Kosovës të votojnë në referendum sikur në të kaluarën

Shtetet e QUINT’it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara) dhe Bashkimi Evropian i kanë bëre thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në referendumin kombëtar të Serbisë.

Përmes një komunikate të përbashkët, këto shtete kanë thënë se vërejnë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë.

“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Tutje, u bëhet thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë “që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja.”

“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, thuhet në komunikatë.

Deklarata e plotë:

Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë të 16 janarit për ndryshimet kushtetuese si një hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve te shtetit të sundimit te ligjit. Ne besojmë se këto reforma janë një hap përpara drejt përafrimit të Serbisë me standardet evropiane dhe do të mbështesin procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.

Ne kemi inkurajuar të gjithë qytetarët  e Serbise që të marrin pjesë në referendum dhe besojmë se është e rëndësishme që votuesit me të drejtë vote të mund të votojnë në zgjedhje dhe referendume. Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar. Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur.

I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hape perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal.

(Kosova Sot Online)