Afera në Brezovicë zbulon lidhjen e politikanëve të shantazhuar me Listën Serbe dhe krimin e organizuar!

Afera në Brezovicë zbulon lidhjen e politikanëve të shantazhuar me Listën Serbe dhe krimin e organizuar!

Gani Qarri

  • 14 January 2022 - 07:47

Shkruan: ANALISTI – Gani Qarri

Nëse pas shpërthimit të aferës më skandaloze të deritanishme si në rastin e Brezovicës, që rezultoi me zbardhjen e akteve më kriminale të politikanëve të inkriminuar deri në fyt, të cilët në vend të mbrojtjes së sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës, ndërtuan kundërligjshëm, bazuar në ligje të Serbisë, duke shkatërruar parkun kombëtar të mbrojtur nga ligjet e Kosovës në Brezovicë, kërkon konfiskimin e vilave të ngritura me lejet e Listës serbe, nga ish-pushtetarët e deridjeshëm te kriminalizuar, kjo do të jetë goditja më e rëndë dhe vula vendimtare e tradhtisë së paprecedent, ndaj udhëheqësve të partive të inkriminuara dhe pjesëtarëve të gardës së shantazhuar politike, të cilët ndërtuan në parkun kombëtar, me ligje të Serbisë, në shtetin e pavarur të Kosovës!

-Zbërthimi më i detajuar dhe zbardhja deri në fund e aferës kriminale të Brezovicës, do të shkaktojë një tërmet shumë të thellë dhe të panjohur deri më tani në skenën politike të Kosovës, pasi që abuzimet më të rënda të këtij rasti skandaloz, i kanë bërë vet personalitetet e niveleve më të larta politike e institucionale të Vendit, që nga ish Kryeministri dhe ish-presidenti Thaçi e deri te ministrat e zv.kryeministrat e tij te "drejtësisë", të arsimit, të Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës. Pra te gjithe ish SHIK-istët e diteve te para , e ish-komandantë me nam, të cilët megjithëse mbajtën pozitat më të larta dhe më të rëndësishme në pushtetin qendror, e ne Qeveri, si ish-kryeministra e ministra, ish-kryetar te Kuvendit e deputet dhe deri ne Presidencën e Shtetit, duke keqqeverisur dhe kapur për mese 20 vite, gjithë shtetin e brishtë të Kosovës, tashmë po dëshmohet publikisht, se pikërisht ata, ishin zhvatësit, plaçkitësit dhe shkelësit më të paprecedent te të gjitha ligjeve të Kosovës.

Prandaj konfiskimi i vilave të kundërligjshme në Brezovicë dhe jo vetëm, do të jetë një goditje jo vetëm e rëndë, por edhe më e turpshmja, kundër personaliteteve të asaj garde të skandalizuar politike dhe shkelësve më të trishtë të ligjit, si ish-pushtetarët e deridjeshëm e të tejkriminalizuar, të cilët turpëruan një shtet të tërë, duke ia qitur faqen e zezë me bëmat e tyre kriminale, gjithë shtetit të Kosovës, precedent që në përmasave të tilla, nuk ka ndodhur kurrë, në rajon dhe askund tjetër. Në të dy aksionet e fundit, mbi aferën kriminale të Brezovicës janë vënë nën pranga nga prokuroria e Shtetit, 14 persona të përfshirë në veprime të dyshuara në Parkun Kombëtar të “Sharrit”, kurse në vazhdim të shfletimit të dosjeve kanë filluar të zbulohen edhe ish figura me peshë tejet të lartë politike, përfshi biznesmenë mafioze dhe zyrtarë të lartë institucionalë që mbanin pozita te rëndësishme dhe sipërore në institucionet e Republikës së Kosovës.

Prandaj, ata, së shpejti rrezikojnë edhe të kapen nga hetuesia dhe organet e ndjekjes për vepra të renda penale, si shkelja e ligjit, keqpërdorim i detyrës zyrtare, marrje, dhe dhënie ryshfeti, si dhe ushtrim të ndikimit të cilat të gjithë këta, po dëshmohet se i kanë bërë për mbi 20 vite rresht.Vetëm gjatë dy aksioneve të fundit lidhur me aferën kriminale të Brezovicës, është zbuluar se përveç politikanëve të kriminalizuar edhe ish-udhëheqësit me te lartë shtetërorë të Kosovës kanë toka dhe shtëpi banimi të ndërtuara kundërligjshëm në parkun kombëtar në Brezovicë!

Në të gjitha mediet e vendit, është raportuar se edhe vet ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka në pronësi një vilë moderne në Brezovicë, megjithëse ai në Agjencinë Kundër Korrupsionit më 2020-n, kishte deklaruar se ka vetëm pak tokë bujqësore dhe dy shtëpi, madje edhe ato në pronësi të përbashkët! E për t’u bërë afera e shkatërrimit kriminal të parkut kombëtar në Brezovicë edhe më skandaloze, Hashim Thaçi nuk është i vetmi ish president që ka pasuri të paluajtshme në Brezovicë, por hise në këtë Park Nacional është raportuar të ketë edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila thuhet po ashtu, se posedon një vilë në Brezovicë. Megjithatë edhe ajo, njëjtë si Thaçi, në Agjencinë Kundër Korrupsion, nuk ka deklaruar pronësi në Brezovicë. E sikur të mos mjaftonin të gjitha sa u cekën, sipas informatave të raportuara në mediat vendore, nga hetuesit ligjor, është zbuluar se edhe kreu aktual i PDK-së, Memli Krasniqi dhe shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Abelard Tahiri posedojnë vila luksoze, të ndërtuara po ashtu kundërligjshëm në Parkun Kombëtar të “Sharrit” në Brezovicë!.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri, në deklarimin e fundit të pasurisë ka deklaruar se ka në pronësi të përbashkët një shtëpi banimi, lokale afariste dhe një “shtëpi malore”, por pa treguar se edhe "shtëpia e tij malore", është ngritur kundërligjshëm në parkun kombëtar në Brezovicë.

Për aq më keq, edhe kryetari aktual i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar vetëm një shtëpi dhe apartament, pa treguar fare se ka ngritur kundërligjshëm edhe ai vet, Vilë luksoze në Brezovicë.

Madje, për të arritur kulmin, ky turp i paprecedent, sipas informatave në media, në parkun kombëtar në Brezovicë, vilë ka ngritur kundërligjshëm edhe vet ish-ministri i Drejtësisë dhe ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.

Kurse, për kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili njihet si merakli i tokave, ndryshe nga kolegët e tij, thuhet se përveç vilës, ai ka në pronësi edhe një parcelë toke në Brezovicë. Megjithatë edhe Haradinaj, në AKK ka deklaruar se në pronësi të përbashkët ka një tokë kodrinore që kap vlerën prej 75 mijë eurosh, si dhe një truall në vlerë prej 27 mijë e 300 eurove, pa cekur vendin, saktësisht se ku. Vila në Brezovicë sipas raportimeve në media, të cilat nuk janë demantuar nga asnjëri prej të apostrofuarve kanë edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj dhe ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, që të dy këta bashkëpartiakë të dikurshëm dhe pjesë të ish pushtetit mbi 12 vjeçar të Hashim Thaçit & Co. Çollaku, në deklarimin e fundit të bërë në AKK ka treguar se ka në pronësi të përbashkët parcelë prej 700 metrave katrorë dhe shtëpiza në atë kohë në ndërtim e sipër, pa e theksuar vendin dhe as për çfarë shtëpizash bëhet fjalë, kurse Fatmir Limaj ka të deklaruar vetëm një truall, dhe atë, sipas tij, në pronësi të përbashkët familjare?!

Vila në Brezovicë është vërtetuar se posedojnë edhe ish-krye diplomati i Kosovës Enver Hoxhaj, si dhe ish-ministri i Arsimit dhe njëri nga autorët e Kushtetutës dhe të Ligjeve të Kosovës, në Qeverinë Thaçi, Arsim Bajrami. Po ashtu edhe prokurorja e shtetit, Laura Pula, është raportuar se ka shtëpi në parkun kombëtar të Brezovicës, ndërsa Veton Surroi, ka ngritur një hotel në bashkë-pronësi, në Parkun Kombëtar të “Sharrit”, i cili është aksionar në kompaninë “Stella Consulting”,që dyshohet se fitoi jashtëligjshëm lejen ndërtimore për ndërtimin e objektit të lartcekur afarist në Brezovicë.

Prandaj për momentin, kjo është afera më skandaloze, zinxhiri kriminal i të cilës sapo ka nisë për tu zbardhur, me emrat e politikanëve të kriminalizuar, që vije si sprova e parë më e madhe për drejtësinë e Kosovës, për ta dëshmuar se është në gjendje ta qojë deri në fund hetimin e nisur dhe rivendosë zbatimin e ligjit, duke mos lejuar të shantazhohet, as ti nënshtrohet presionit që mundë të vij jo vetëm nga jashtë, por edhe nga lidhja e drejtësisë me strukturat e krimit, siç ka ndodhur, pothuajse që nga paslufta, deri më tani.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".