GLPS: Nuk ekziston asnjë rast i mbajtjes së një referendumi kushtetues të një shteti të huaj në territorin e një shteti tjetër

  • E.K /
  • 14 January 2022 - 12:20
GLPS: Nuk ekziston asnjë rast i mbajtjes së një referendumi kushtetues të një shteti të huaj në territorin e një shteti tjetër

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) konsideron që mbajtja e referendumit kushtetues të Serbisë në Republikën e Kosovës është në kundërshtim me parimet e demokracisë dhe respektit të ndërsjelltë të secilit vend të Bashkimit Evropian.

Përmes një reagimi GLPS thotë se s’ekziston asnjë rast i mbajtjes së një referendumi kushtetues të një shteti të huaj në territorin e një shteti tjetër.

“Ne deshirojmë të theksojmë që nuk ekziston asnjë rast i mbajtjes së një referendumi kushtetues të një shteti të huaj në territorin e një shteti tjetër në një menyrë të tillë sikur të ishte një proces zgjedhor i zakonshëm. Në kuptim të praktikës së Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (psh rasti Py v. France 2005), e drejta e dikujt për të votuar për zgjedhjet e një shteti tjetër në territorin e shtetit ku banon nuk ekziston”, thuhet në reagim.

Sipas GLPS kjo çështje është e qartë edhe në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Një gjë e tillë është jashtëzakonisht e qartë në kuptim të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (neni 3, protokolli 1). Madje GLPS konsideron që Qeveria e Kosovës e ka detyrim kushtetues që të mos lejojë një proces votimi për një referendum kushtetues të një shteti tjetër, e aq më pak për një shtet me një kushtetutë paragjykuese dhe armiqësore ndaj territorit të Republikës së Kosovës. Prandaj, Qeveria e Kosovës jo vetëm që nuk duhet ta lejojë një proces të tillë por e njejta duhet të arsyetojë veprimin e saj duke u mbështetur në mbrojtjen e parimeve kushtetuese dhe sovranitetin e plotë të shtetit të Kosovës, pavarësisht deklaratave dhe presioneve të ndryshme nga jashtë.”, thuhet tutje.

Sipas kësaj organizate refuzimi i mbajtjes së këtij referendumi nuk përbën shkelje të standardeve evropiane.

“Së fundmi, kërkesa e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës nuk ka asnjë lidhshmëri me të drejtat e njeriut dhe refuzimi i mbajtjes së këtij referendumi nuk përbën shkelje të standardeve evropiane. E njejta është hapi i rradhës në tentimet e vazhdueshme të Serbisë në cenimin e shtetit të Kosovës, veprime këto që duhet ndaluar.  GLPS mbështet veprimet të cilat i kontibuojnë fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit rajonal por, vetëm në rastet kur Kosova është palë e barabartë dhe e respektuar për sovranitetin e saj tashmë të njohur botërisht. Ndërsa kërkesa konkrete e Serbisë përkundrazi nuk promovon aspak bashkëpunim të mirëfillt dhe qëllim për dialog konstruktiv mes dy shteteve. Republika e Kosovës është një shtet i pavarur, sovran dhe me legjitimitet të plotë që të sillet si i tillë ndaj çdo kërkese e cila do cenonte parimet kushtetuese dhe integritetin shtetëror. Prandaj i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që e njejta të ketë parasysh këto fakte gjatë marrjes së një vendimi lidhur me këtë situatë”, thuhet në reagimin e GLPS-së.

(Kosova Sot Online)