Reagon Rama: Turqia s’ka lidhje me Perandorinë, takimi me “pushtuesin” nga Ankaraja në ditën e vdekjes së Skënderbeut, rastësi

  • E.K /
  • 18 January 2022 - 15:11
Reagon Rama: Turqia s’ka lidhje me Perandorinë, takimi me “pushtuesin” nga Ankaraja në ditën e vdekjes së Skënderbeut, rastësi

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, thotë se takimi me presidentin Erdogan dje, në ditën e vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti ishte rastësor. Ai u është kundërpërgjigjur atyre qe e kritikuan se priti “pushtuesin” nga Ankaraja pikërisht në 554 vjetorin e vdekjes së Skenderbeut duke thënë se Turqia e sotme s’ka lidhje me Perandorinë Osmane.

“Dje, duke komentuar vizitën e presidentit të Republikës së Turqisë, disa miq këtu nuk u kursyen në sharje e në mallkime “në emër të Skënderbeut”! Rastësia e desh që vizita e djeshme të përkonte me ditën e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, çka e mësuan me këtë rast plot prej atyre që rendin t’i fryjnë zjarrit të patriotizmit digjital apo opozicional, i cili ndizet sa herë unë takohem me “pushtuesin” nga Ankaraja”, ka shkruar Rama.

Ai ka shkruar se s’ka asnjë lidhje Turqia moderne anëtare e NATO-s e cila ndërtoi 552 shtëpi për familjet e prekura nga tërmeti.

“Ku lidhet Turqia moderne, anëtare e NATO-s, mike e sprovuar në më shumë se një rast e Shqipërisë dhe shqiptarëve, e si ngatërrohen me shigjetat e rrethimtarëve të Krujës, vaksinat e ardhura në Shqipëri nga ky shtet mik, falë kujdesit të veçantë mikut tim, Presidentit Erdoğan, në kohën kur i tërë Ballkani mbeti si peshku pa ujë, brenda rrethimit mbytës të Armikut të Padukshëm? Si mund të lidhen me luftën e pesë e kusur shekujve më parë, punëtorët e palodhur turq dhe Presidenti i Republikës së Turqisë, të cilët vitin e fundit ndërtuan një lagje të re me 522 shtëpi për familjet e prekura nga tërmeti apo një spital të ri ultramodern për njerëzit e këtij vendi”, ka shkruar Rama.

(Kosova Sot Online)